Nga Alban Tufa – Disa nga shkrimtarët që jam marrë më seriozisht – herë për kënaqësi estetike, herë për çështje pune – janë pak shumë këta: Roberto Bolanjo, Gabriel Garsia Markez, Milan Kundera, Xhorxh Oruell, Rei Bredbëri, Aldos Hakslei.
Personazhet, subjektet dhe skenat e Bolanjos, herë vendosen në Kili, herë në Meksikë dhe herë të tjera në Spanjë. Të treja këto janë vende ku shkrimtari ka kaluar vite të jetës së tij në stade krejt të ndryshme. Personazhet dhe subjektet e Markez-it vendosen ne Arakataka, në Bogota dhe vende të tjera ku shkrimtari ka kaluar fëmijërinë, rininë dhe faza të mëtejshme të jetës. Ngjarjet dhe personazhet e Kunderës sillen nëpër Zvicër, ikin në Francë dhe në fund përfundojnë nëpër rrugët Pragës ose fshatrave të Çekisë. Të gjithë këto personazhe apo subjekte lidhen ngushtë me vendet ku shkrimtarët kanë lindur, kanë jetuar, e mandej, në një formë a në një tjetër, i kanë braktisur, gjithë duke mbartur prej këtyre vendeve kujtesën e së shkuarës.
Krejt ndryshe na jepen personazhet dhe ngjarjet në romanet e Oruell-it, ku me të famshmin roman “1984”, ai u përpoq të parashihte të ardhmen e një shoqërie të kontrolluar tërësisht nga pushteti. Këto personazhe shpesh janë pa kujtesë, nuk flitet për të shkuarën e tyre, madje e ardhmja iu vihet thellësisht në diskutim. E njëjta gjë ndodh edhe në romanin “451 farenhajt” të Bredbërit si dhe në romanin “Më e mira e botëve” të Haksleit. Të tre këta shkrimtarë u morën me të ardhmen, sipas veprave të tyre, gjithnjë e më të rrezikuar.

Janë të pa fundme subjektet e romaneve, tregimeve, filmave, legjendave dhe miteve, ku personazhet kërkojnë të dinë për të ardhme e tyre, siç janë edhe personazhet që mundohen të rindërtojnë ose të rikujtojnë të shkuarën s’e kanë. Në thelb këto janë shqetësimet e njerëzimit.
Edhe mua, fillimisht si njeri, e mandej si shkrimtar, dy gjërat që më kanë shqetësuar përherë janë ndërtimi i një raporti të shëndoshë me të shkuarën dhe një raporti të pranueshëm vizual me të ardhmen. Shqetësimet më kanë lënë përherë me pikëpyetje. Si do ta ndërtoj përfytyrimin për të shkuarën time? Me çfarë ngjarjesh? Me çfarë rrëfimesh për këto ngjarje? Dhe më tej, si do të jetë e ardhmja ime? Me çfarë brumi mundem ta imagjinoj? Çfarë do të vendos në kornizë? Me çfarë objektesh, subjektesh, sfondi apo nuance do ta mbush? Dhe për fund, me çfarë mjetesh praktike do i qasem kësaj të ardhmeje?
Zakonisht kam një pikëpamje kritike mbi gjërat. Me shumë mundësi e nxitur nga pasiguria. E ardhmja më duket e pasigurt, ngase po punojmë gjithë e më për të. Po aq e pasigurt më duket edhe e shkuara, ngase njeriu harron, sidomos po nuk punoi me kujtesën e vet. Këto shqetësime të miat, në mënyrë të pashmangshme dhe me tjera përmasa shfaqen edhe në atë çka shkruaj. Ky është kunji ku sillet e gjithë përpjekja ime letrare.

Në dy romanet e botuar jam përpjekur t’iu shkoj nëpër të dyjave. Në romanin e parë “Nishanet në formë L-je” ngjarjet zhvillohen në një terren që e njoh shumë mirë. Një terren që e kam perceptuar, e kam përvetësuar dhe në fund e kam kuruar siç gjërat e mia më thella e kanë dashur. Ky është terreni ku jam lindur dhe rritur. Me këtë fillimisht kam materializuar kujtime, sekuenca ngjarjesh, përvoja (në shumicë të dëgjuara).
Ndërsa në romanin e dytë me titull “Po sikur të mos jetë ëndërr?”, përpiqem të flas për një të ardhme jo shumë të largët. Ledhatohem kur dëgjoj të thonë se shkrimtarët i ndjejnë gjërat me shpejtë dhe më shumë se pjesa tjetër e shoqërisë. Dyshoj. Megjithatë ajo çka kanë shkrimtarët si përparësi mundet me qenë fakti që ata mund t’i dokumentojnë ato çka ndjejnë, dhe teksa i dokumentojnë i kurojnë në atë farë feje sa iu japin përmasa të tjera. I prirur në këtë rrjedhë pohimesh, më jepet të shkruaj për të ardhmen.
Megjithatë është kurth i madh të flasësh për subjektet e tua letrare. Sidomos kur nuk i ke as vetë të qarta motivet e shkrimit të diçkaje dhe jo të diçkaje tjetër. Mendoj që askush nuk i ka. Në këtë situatë me jepet të them se shkrimtari priret të shkruajë për shqetësimet e veta. Fati (i mirë ose i keq) e do që këto shqetësime të përkojnë me shqetësimet e shoqërisë. Shoqëri e cila vuan thellësisht nga e shkuara e saj dhe të ardhmen e ka të mjegullt.

A mundet letërsia ta ndryshojë mjegullnajën që kjo shoqëri ka për të ardhmen? Po të shkuarën e saj gjithë e në harresë?
Padyshim që po. Meqë të dyja varen nga perceptimi, nga ideja që kemi për veten tonë të shkuar dhe veten tonë të ardhme, letërsia mund të ndryshojë idetë, imazhet, përfytyrimet. Letërsia mund të ndryshojë të gjithë artet e tjera. Mandej fill mund të ndryshojë individin, dhe për fund, krejt shoqërinë.
Alban Tufa është shkrimtar, poet, përkthyes dhe pedagog i shkencave të komunikimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



