Media Galeri

E Premtja e Zezë/ Besimtarët ortodoksë mbajnë shërbesën për Epitafin

Nga Gazeta 'Si'-Besimtarët ortodoksë në mbarë botën festojnë më 5 maj Ngjalljen e Krishtit, ose Pashkën. Për ortodoksët kjo është Java e Madhe e Shenjtë dhe dita e sotme përkon me të Premten e Zezë ku përkujtohen Pësimet e Jezu Krishtit.

Edhe në Shqipëri, në të gjitha kishat ortodokse janë zhvilluar shërbesat fetare. Pasditen e së premtes në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë u kujtua kryqëzimi dhe varrimi i Krishtit në Jerusalem në kohën e Pontit Pilat.

Përpara fillimit të shërbesës, në të gjitha kishat është përgatitur një "varr" (Kuvuklion) në mes të Kishës i zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (Epitaf), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.

Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht filloi me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Më pas klerikët dhe besimtarët dolën jashtë Katedrales së Tiranës dhe kishave në qytetet e tjera, duke përkujtuar në rrugë ecjen me kryqin mbi shpinë, të sharat, rrahjet dhe pështymat mbi Krishtin.

Të shumtë janë besimtarët që marrin pjesë në këtë ditë që përkujton kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit, si dhe Ngjalljen pas tri ditësh. Mesnata mes 4-5 majit kulmon me Ngjalljen e Krishtit dhe ceremonitë në kishat e Shqipërisë fillojnë në 23:00 të së shtunës, për të vijuar deri në orët e para të së dielës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë