Njerez

‘E pranoj që kam masivizuar tallavanë dhe pse nuk e doja…’

Nga Gazeta Si- Nga masivizimi i tallavasë e deri tek kalimi i tij nga një ‘show’ në një emision politik, Alban Dudushi rrëfen në podcastin “T’pa thana’ me Liridon Mulaj, jetën e tij televizive por dhe ‘notën’ që (s)’i vë sot televizionit.

I pyetur se si vendosi të promovojë tallavanë në një emision që ndiqej, Dudushi tha se shija e tij muzikore nuk është dhe nuk ka qenë tek muzika tallava dhe ishte skeptik edhe vetë.

“Kam pasur paragjykimet e mia në lidhje me tallavanë. Bëja debate me drejtuesin e orkestrës që kemi pasur asokohe i cili këmbëngulte se ka elemente të mira tek tallavaja. Ndërkohë që bënim këto debate, Vis Pupa më thotë se njeh një personazh që donte ta sillte në emision dhe ai ishte Muharrem Ahmeti”, tregon Dudushi i cili shton se kur e pyeti se çfarë bën ai, Elvis Pupa i tha thjshtë “tallava”.

“Isha skeptik. Vjen Muharrem Ahmeti me orkestrën e vet dhe unë kuptova se në fakt nuk ishte një tallava siç ishim mësuar. Ai ishte artist dhe me të kemi bërë një nga emisionet që ka pasur shumë sukses. E pranoj që tallavanë mund ta kem popullarizuar megjithëse nëpër klubet e natës ekzistonte”, kujton Dudushi.

Edhe pse e donte emisionin që bënte asokohe, që ishte një emision gjithëpërfshirës, Dudushi vendosi të kalonte në një emision totalisht politik dhe për këtë vendim, kishte dhe pasoja.

“Jam sulmuar për shkak të bindjeve të mia politike. Dihej gjithmonë se unë jam i majtë dhe disa njerëz nuk e pranonin dot se unë mund të bëj analistin asnjanës por kush më ndjek e di se unë nuk përfshihem në debate që kalojmë politikën për shkak të bindjeve”, shpjegon Dudushi.

Dhe kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse kreu i SPAK, Altin Dumani pranoi që intervistën e parë ta japë tek Dudushi.

“Kishim një vit që përpiqeshim për këtë intervistë. Dumani nuk kishte dalë kurrë në një intervistë televizive pasi kishte zgjedhur të mos e bënte diçka të tillë por mendoj se kishte ardhur koha dhe më zgjodhi mua”, thotë Dudushi.

Duke folur për jetën e tij, Dudushi tregon se marrëdhënia me prezantuesen Bieta Sula e ka ndihmuar edhe në profesion, pasi debatet se si duhet  të bëjnë emisionet respektive janë gjithmonë ndihmuese për të bërë një emision të mirë, gjë që sipas Dudushit, nuk gjendet kudo në televizione sot.

“Besoj se sot ka shumë gjëra të mira por dhe gjëra për ti hedhur në kosh të plehrave por nuk më pëlqen të jap nota për televizionin sot. Janë kohë të ndryshme, ka spektatorë të ndryshëm dhe gjërat funksionojnë po ndryshe. Me këtë brez që po rritet sot, unë jam i rrezikuar për shembull”, thotë Dudushi duke sqaruar se kur shikon djalin kupton se sa e gjatë do jetë jeta e tij televizive, me spektatorë që po rriten larg televizorit dhe më pranë pajisjeve digjitale.

Pyetjes “A mendon se po rrisim një rini të shëndetshme?”, Dudushi thotë se Shqipëria ka pasur kohë edhe më të vështira dhe të tmerrshme.

“O ka qenë në ‘97 një tmerr ose s’ka qenë kurrë. Ajo çfarë ne duhet ta kemi gjithmonë e më shumë është egoja për t’i pasur në rregull gjërat tona por edhe një lloj vështrimi për të parë të tjerët ku janë. Ne kemi humbur njerzillëkun që kemi pasur, solidaritetin midis njerëzve. Unë nuk them që ka marrë fund dhe po rrisim një brez të vështirë. Kemi nevojë për njerzillik sepse ky lloj ka humbur sot”, thotë Dudushi, duke shtuar se ajo që e shqetëson më shumë është se sa ushqim shpirtëror marrin fëmijët sot dhe sa cilësor është ai ushqim shpirtëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë