Histori

E kujt është Palestina?

Fillimisht fjala Palestinë përvijonte thjesht një territor në veriperëndim të Gadishullit Arabik, mes zotërimeve fenikase të Tyrit dhe Egjiptit.

​Gjurmë të një krahine me emrin e shkruar qartë Palestinë i gjejmë që te Herodoti (Histori 3.91.1), i cili i referohej në fakt një zone që banohej nga Filistinët përgjatë bregdetit. Këta të fundit ka shumë mundësi t’i kenë dhënë emrin edhe territorit.

​Sidoqoftë emri i Palestinës haset në forma edhe më arkaike nëpër mbishkrimet egjiptiane të Medinet Habus dhe papirusin Harris I (British Museum nr. EA 9999) si “p-l-s-t”. Duke qenë se egjiptianët nuk i shkruanin zanoret, ka shumë gjasë që emri, aty nga viti 1150 p.e.s., të shqiptohej Peleset.

​Me sundimin e Asirisë aty nga fundi i shekullit të 9 p.e.s. dhe fillimi i shekullit të 8 p.e.s. emri i Palestinës duket se nuk ndryshon shume. Në mbishkrimin Calah Orthostat Slab (2.114G) flitet për një tokë në Palastu (origj. Pa-la-áš-tu).

​Për njëfarë kohe emri u la në harresë dhe përdorej vetëm në disa rrethana të caktuara jo politike nga autorë klasik grek dhe romak si Aristoteli, Ovidi, Plini etj.

​Pas pushtimit të Romës dhe armiqësisë së vazhdueshme me hebrenjtë e Judeas, perandori Hadrian vendosi në vitin 135 e.s. ta shkrinte Provincën e Judeas për të krijuar një njësi të re territoriale, të cilën e quajti Palestina Siriane (lat. Syria Palaestina). Këtë emër ruajti edhe nën Perandorinë Bizantine mes viteve 395-660 e.s. edhe nën Perandorinë e Umayyad (arab. Jund Filistin) mes viteve 660-1099 e.s., duke e trashëguar atë deri në ditët moderne.

​Konflikti arabo-izraelit në shekullin e 20-të solli edhe një tjetërsim të kuptimit toponimik. Kjo pasi me emrin Palestinë nuk identifikohej me një territor multikulturor por vetëm pjesa arabo-myslimane e tij. Sidoqoftë, teknikisht, siç është kuptuar kahera nga historia fjala Palestinë është njësia territoriale e cila përkufizohet në veri me Libanin, në lindje me lumin Jordan dhe në jug më Gadishullin Sinai.

Popullsia

Nëse për origjinën dhe rrugëtimin fonetik, semantik dhe politik të emrit Palestinë nuk ka shumë dyshime, këto të fundit bëhen më të dendura kur na duhet të identifikojmë popullsitë, të cilat kanë banuar zonën përgjatë historisë.

​Zbulimet arkeologjike kanë dëshmuar se Palestina e sotme ka qenë një rrugë shumë e rëndësishme kalimi për Homo Erectusin, nga Afrika e Veriut për në Azi, që gjatë Paleolitit të Poshtëm, pra 1.800.000 vite më parë.

​Palestina është vendi ku njerëzimi nisi për herë të parë, rreth 15.000 vite më parë, të bënte një jetë sedentare (Kultura Natufiane). Madje, ka shumë mundësi që Jeriko (siti Ein es-Sultan) të jetë qyteti i parë i ndërtuar nga njeriu, rreth 11.000 vite më parë gjatë asaj që njihet në gjuhën teknike si periudha e Neolitit pre Qeramik A (PPNA).

​Gjatë fundit të Neolitit (4000-2500 p.e.s.) Palestina nisi të ‘banohej’ nga popullsi nomade apo semi-nomade semite, të cilat me shumë mundësi e kishin origjinën nga bregu perëndimor i Gadishullit Arabik ose nga bregu lindorë i Afrikës së Veriut. (Hitti 2019, 29) Gjatë fundit të mijëvjeçarit të tretë, këto popullsi, duke ndjekur traditën e tyre të kahershme, nisën të ndahen fillimisht në klane, e më pas në fise, popuj dhe shtete. Kështu nga populli i madh semit dolën kananitët, amoritët, amarejasit, akadianët, hebrenjtë, asirianët, fenikasit, babilonasit, moabitët, edonitët, arabët, etj, etj. Sidoqoftë Palestina nuk u popullua veçse nga kananitët, fenikasit dhe hebrenjtë. Pjesa tjetër e semitëve u shpërnda në Afrikë, Mesopotami dhe Gadishullin Arabik.

​Dyndja tjetër e rëndësishme në Palestinë, ndoshta më e rëndësishmja pas asaj semite, ndodhi gjatë Epokës së Bronzit rreth viteve 1200-1100 p.e.s. nga ata që njihen si Popujt e Detit, një konglomerat i çuditshëm dhe misterioz popujsh të cilëve nuk ua dimë origjinën e sigurt as sot e kësaj dite. Njëri prej këtyre popujve njihet si Peleset (egjip. p-l-s-t). Disa teori janë ngritur mbi origjinën e këtij populli. Njëra prej këtyre teorive është se Pelesët ishin një popullsi me origjinë ilire nga Adriatiku i jugut (shih Bonfante, G. “Who were the Philistines” American Journal of Archaeology, vol. 50, no. 2, 1946, f. 251–262.). Për të tjerë, Pelestët janë një popullsi me origjinë mikeanase nga deti Egje (shih Encyclopædia Britannica) ose nga Anatolia (shih O’Connor 2003. 116). Cilado qoftë origjina e tyre, Pelestët ishin një popullsi indo-europiane, e cila nisi të zbarkonte masivisht në Palestinë aty nga vitet 1200-1100 p.e.s. Ata ndërtuan në bregdet 5 qytetet e tyre Gazën, Ashkelonin, Ekronin, Ashdodin dhe Gathin duke jetuar kështu ngjitur me popullsitë semite të hebrenjve, kananitëve dhe fenikasve dhe duke i dhënë zonës emrin e tyre, do me thënë Pelestinia apo Palastinia.

​Pavarësisht zhvillimeve historike të mëvonshme, pushtimeve dhe sundimeve të ndryshme ushtarake dhe politike nga egjiptianët, hebrenjtë, asirianët, babilonasit, persët, grekët dhe romakët, përbërja etnike e Palestinës në thelb nuk ndryshoi. Ajo mbeti një zonë ku amalgamoheshin kulturalisht dhe gjenetikisht popujt semit dhe ato indoeuropian.

​Kjo situatë nuk ndryshoi të paktën deri në shekullin e 15 të erës sonë me pushtimin Mamluk dhe atë Osman, të dy këto me origjinë aziatike (turke) dhe përkatësi gjenetike mongoloide. Edhe pse studimet moderne të kromozomeve Y dhe haplogroupeve STR nuk tregojnë ndonjë ndikim të rëndësishëm gjenetik nga kjo ardhje e re, ndikimet kulturore dhe pasojat politike do të ishin të jashtëzakonshme.

Konflikti

Konflikti modern mes arabëve dhe izraelitëve, pavarësisht se është një shfaqje pothuajse bashkëkohore, i ka rrënjët të shtrira thellë në histori.

​Edhe pse për myslimanët modern që jetojnë në Palestinë është hipotetizuar një origjinë kananease, studimet gjenetike dhe ato lingustike nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë në asnjë formë. Kjo qarkullon më shumë si një legjendë urbane apo si një tentativë për të legjitimuar njëfarë lashtësie të tyre përkundrejt  hebrenjve. Si pasojë, origjinën e konfliktit arabo-izrealit as nuk mund ta kërkojmë dhe as nuk mund ta gjejmë në Epokën e Bronzit të Vonë apo atë të Hekurit.

​Ai lindi në fakt me romakët, në kapërcyell të dy epokave, mes mijëvjeçarit të parë para erës sonë dhe atij të erës sonë, pra rreth 1.800 vite me parë. Disa rebelime të njëpasnjëshme mes viteve 66-136 të erës sonë e nxitën Romën të aplikonte politika aq të ashpra me hebrenjtë sa këta të fundit u detyruan të braktisin masivisht Palestinën. Me ngjitjen e krishtërimit aty nga shekulli i 4-t gjërat u përkeqësuan për hebrenjtë. Ata vlerësoheshin si ‘vrasësit e Zotit’ dhe që nuk meritonin rikthimin në Palestinë. Kështu Palestina vazhdonte të zbrazej nga hebrenjtë. Sidoqoftë, kjo braktisje edhe pse masive nuk u bë kurrë totale gjatë këtyre 1.800 viteve. Ajo, pavarësisht, vështirësive dhe konjukturave ndërkombëtare, gjatë këtyre shekujve ka qenë e banuar gjithmonë nga hebrenjtë në masën 2-17% të totalit të popullsisë (Jewish Virtual Library). Ata madje arritën që, aty nga viti 1577, të kishin në Safed të Galileas, jo vetëm një qytet me 30.000 hebrenj, por edhe një shtypshkronjë. Hebrenj të tjerë jetonin në Tiberia, Gaza, Hebron dhe në Jerusalem.

​Arabët ndërkohë kanë nisur të përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë vetëm pas shekullit të 7-të, me pushtimin Rashidun. Ata kaluan në minorancë, apo në një shumicë relative, pas kryqëzatave, mes viteve 1099-1290. Me pushtimin mamluk, e me pas atë otoman, arabët njohën rritje të konsiderueshme duke kaluar në një shumicë absolute e cila mes viteve 1533-1968 lëkundej mes 65-90% të totalit të popullsisë.

​Situata u komplikua kur hebrenjtë, e persekutuar në pjesë të ndryshme të botës (p.sh. Spanjë, Austri, Angli, Ukrainë, Egjipt, etj) vendosën të emigronin për në Palestinë, tokë të cilën e quanin “të Premtuar nga Zoti”. Ky emigrim (heb. HaAliyah HaRishona), i cili u bë më masiv pas inkuizicionit spanjoll në fundshekullin e 15-të dhe fillim shekullin e 16-të nisi ta ndryshonte ngadalë demografinë e Palestinës. Për aq kohë sa Palestina kishte ende toka të lira, hebrenjtë ishin në minorancë dhe qyteti i Jerusalemit kontrollohej politikisht dhe demografikisht nga arabët myslimanë, kjo nuk përbënte asnjë problem.

​Problemi lindi kur hebrenjtë ndërtuan një lëvizje të gjerë politike dhe filozofike (ideologjike) të njohur si Sionizëm (Basel, 1897). Sipas kësaj lëvizje hebrenjtë duhet të riktheheshin në Tokën e Premtuar e cila i ishte zaptuar ndër shekuj nga pushtues të ndryshëm. U organizuan kështu rikthime masive të sponsorizuara nga familje të pasura me origjinë hebreje si ajo Rothschild dhe Rockfeller. Sionizmi shkaktoi kundërpërgjigjen e botës arabe në Palestinë e cila u organizua në Paris më 1906.

​Situata u përkeqësua edhe më shumë kur hebrenjtë ikën masivisht nga Gjermania dhe Austria me nisjen ë persekutimit Nazist. Popullsia hebreje në Palestinë u dyfishua dhe po rrezikonte seriozisht shumicën arabe. Izz ad-Din al-Qassam ishte i pari që organizoi, mes viteve 1930-1931, një rezistencë të armatosur kundër hebrenjve dhe britanikëve që kishin lejuar emigrimin hebre në Palestinë. Nis kështu konflikti mes arabëve të cilët e konsideronin veten autokton dhe hebrenjve të cilët edhe pse kishin pas krahëve një histori të rëndësishme në Palestinë, konsideroheshin ardhacak. Konflikti u ndez edhe me keq kur ai mori ngjyrime fetare.

E kujt është Palestina?

Studimet linguistike fillimisht dhe ato arkeologjike dhe gjenetike më pas, kanë treguar pothuajse unanimisht se Palestina është një territor i cili nuk ka pasur kurrë një zotërues të vetëm. Fillimisht ajo është banuar nga grupe gjahtar-mbledhësish shtegtar. Me pas ajo është banuar për me shume se 10.000 vjet nga një popullsi e panjohur, e cila quhet konvencionalisht nga historiografia si Kultura Natufiane. Popullsi kjo e cila arriti disa progrese të rëndësishme teknologjike dhe shoqërore si agronomia, përpunimi i qeramikës dhe krijimi i qyteteve.

​Më pas, për ndonjë arsye ende të panjohur, kemi një kolaps politik dhe teknologjik të Kulturës Natufiane. Vendin e saj e zënë popujt nomad me origjinë semite si kananitët, fenikasit, hebrenjtë dhe arabët të gjithë vëllezër gjaku të cilët jo vetëm bashkëndanin origjinën e tyre gjenetike por edhe atë kulturore. Dyndjet e reja indoeuropiane (filistinët, grekët, romakët dhe persët) dhe ato mongoloide (turke dhe mamluke) edhe pse e diversifikuan kompozimin gjenetik  dhe linguistik palestinez nuk duket se e kanë përmbysur atë.

​Prandaj pyetjes se e kujt është Palestina mund t’i përgjigjemi vetëm me një oksimoron, pra një marrëdhënie sintaksore midis dy antonimeve: Palestina është e të gjithëve dhe e askujt!

​Nuk mund të flasim për pushtim të izraelitëve apo për kolonizmi nga ana e tyre kur ata janë në Palestinë që prej Epokës së Bronzit të Vonë. Siç nga ana tjetër është e padiskutueshme dhe legjitime e drejta e arabëve palestinez të jetojnë në tokat e gjyshërve, stërgjyshërve dhe katragjyshërve të tyre që nga antikiteti dhe mesjeta. Kjo nuk është një luftë kronologjike midis antikitetesh. Kjo është e drejta themelore për ekzistencë, e cila nuk mund t’i mohohet askujt.

​Ja pra që konfliktet moderne nuk mund të bazohen mbi argumente historike. Historia nuk është shkenca e legjitimimit të pretendimeve etnike. Ajo është kujtesa jonë e përbashkët e cila na maturon dhe nga e cila nxjerrim mësime për të ardhmen. Dhe në këtë rast mësimi është i qartë: Hebrenjtë dhe arabët në Palestinë janë vëllezër të një gjaku, të një gjuhe dhe të një substrakti antropologjik. Zgjidhja nuk është lufta, por dialogu për bashkëjetesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë