Ekskluzive

‘E kisha takuar edhe një herë’. Rrëfimi i inspektorit të plagosur të IMT për pronarin e shtëpisë së shkatërruar

“Shkova për të zbatuar vendimin për prishjen e banesës së shtetasit Qani Muça dhe kemi filluar me prishjen e banesës në orën 08:00 të mëngjesit dhe kemi përfunduar rreth orës 18:30 me prishjen e kësaj banese.

Në përfundim jam drejtuar për nga brava e banesës për ti bërë foto banesës së prishur pasi kështu e kemi si procedurë punë dhe kam vënë re se aty qëndronte edhe shtetasi Qani Muça dhe në momentin që kam qënë duke bërë foto shtetasi Qani Muça më ka sharë duke më thënë “të q. robt” dhe  ka futur dorën në pjesën e pasme të rripit nga mbrapa dhe ka nxjerrë një armë zjarri pistolet dhe unë instiktivisht jam hedhur dhe ja kam kapur pasi isha në një distancë dy deri në tre metra larg tij”.

Ky është rrëfimi i inspektorit të IMT për policinë në të cilën jep detaje se si u sulmua me armë zjarri nga pronari i objektit të shembur gjatë të premtes në rrugën Todi Shkurti, në Tiranë. Në fashikullin e treguar Gazetës Si inspektori i plagosur vijon më tej:

“Në momentin që i kam kapur armën ai e ka shkrepur dhe kam ndjerë që plumbi më preku në pjesën e barkut kam vazhduar të përleshem me të për ti hequr pistoletën, por me sa mbaj mend pistoleta ka shkrepur për herë të dytë, ndërsa unë vazhdoja ta mbaja të bllokuar nga duart armën e shtetasit Qani Muça i   cili edhe pse u afruan punonjësit e policisë vazhdonte ta mbante përsëri dhe të bënte rezistencë.

Me sa kam parë shtetasi Qani Muça ishte në gjëndje të dehur dhe vinte era alkool. Gjatë kësaj ngjarje ka qënë prezent kolegu im S. M. i cili është afruar me vrap së bashku me punonjësit e policisë të cilët nuk i njoh me emra. Më pas nuk mbaj mend.  

Di vetëm që më kanë transportuar për në spitalin e Traumës dy policë të bashkisë me makinën e policisë bashkiake. Unë shtetasin Qani Muça e kam takuar vetëm njëherë në ambientet e zyrave të IMT-së ku ne kemi folur normalisht për problemin e tij  dhe ku jemi kuptuar. Me të nuk kam patur kurrë  konflikte dhe asnjë debat” mbyll dëshminë i dëmtuari, për plagosjen e të cilit gjendet nën akuzë për vrasje të funksionarëve publikë të mbetur në tentativë Qamil Muça.

Policia thotë se punonjësit e IMT, Bashkia Tiranë, u mbështetën nga Policia Bashkiake dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër 1 Tiranë për të bërë ekzekutimin e vendimit të prishjes së objektit.  

‘Në këtë kohë aty është afruar pronari i banesës së prishur, i  cili ka debatuar dhe është konfliktuar fizikisht me punonjësin e IMT Bashkia Tiranë, shtetasin Ilirjan Gavelli” deklaron prokuroria.

Sakaq oficerët që gjendeshin në shërbim në rrugën Todri Shkurti pranojnë se nuk pati probleme gjatë shembjes së banesës.  

“Deri rreth orës 17:20 – 17:30, nuk ka pasur probleme. Rreth orës 17:00 pas komunikimit me punonjësit e IMT dhe Bashkisë, na u tha që kemi mbaruar punë, dhe mund të largoheni.

Shërbimet e tjera të komisariatit u larguan, ne si patrullë, meqë ishim turn i dytë, vendosëm të qëndronim edhe pak, deri sa të normalizohej situata, të largoheshin njerëzit, të normalizohej trafiku, dhe të largoheshin mjetet e bashkisë që kryen shembjen. Rreth orës 17:30, kemi dëgjuar një të shtënë, e ngjashme më të shtënat e armëve të zjarrit.

Menjëherë kemi vënë re, që tek porta kryesorë e ndërtesës e ndërtesës që u shemb, po përlesheshin dy persona, ku njëri nga këta ishte me jelekët me logo dhe stema të IMT, i cili u identifikua Ilir Gavelli dhe personi tjetër ishte shtetasi Qani Muça.

Menjëherë kemi ndërhyrë për të shuar përplasjen. Kur jemi afruar kam vënë re që shtetasi Qani Muça kishte në dorë një armë zjarri pistoletë, kemi bllokuar shtetasin Qani Muça së bashku me kolegët e mi M. H.  dhe E. D.

Unë i kam hequr nga dora armën e zjarrit këtij shtetasi. Kemi prangosur shtetasin Qani Muça, e kemi futur në makinën e policisë. Kam kryer sigurimin e armës, duke i hequr krehërin e fishekëve dhe fishekun në fole të qitjes, me qëllim sigurie, për të parandaluar ndonjë shkrepje të pavullnetshme.

Kam siguruar armën duke e lënë në makinën e policisë me të cilën ishim planizuar në shërbim” përshkruan oficeri i cili parandaloi një masakër dhe që sipas tij pas ngjarjes ai mësoi se autor ishte pronari i banesës së shkatërruar që ndërkohë bërtiste se duheshin vrarë të gjithë ” se ishin kriminelë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë