Nga Gazeta ‘Si’– Flamur Noka, gjatë seancës plenare të ditës së hënë, iu drejtua kryeparlamentares Elisa Spiropali duke i thënë se Parlamenti nuk mund të trajtohet si dyqan nga mazhoranca, “që e hapni dhe e mbyllni kur të doni”.
Noka i tha se turet turistike nuk mund të bllokojnë axhendën e Kuvendit, duke iu referuar pjesëmarrjes së saj në një samit të Ukrainë. Sipas tij, ajo shkoi për të bërë selfie, ndërsa kryetarja i kujtoi non gratën e liderit të tyre, Sali Berisha, duke i thënë se e kupton që mungojnë selfiet nëpër Europë e përtej oqeanit.

“E turpshme që spikerja e parlamentit u thotë deputetëve ma dini për nder që po i bëj këto seanca, kur parlamenti është i zgjedhur nga sovrani, na ka zgjedhur për ta përfaqësuar dhe vazhduar punën në shërbim të ligjit dhe Kushtetutës, në interes të sovranit. Turet tuaja turistike për të bërë selfie, atje zonjë s’mund të bllokojnë axhendën e kuvendit.
Kuvendi edhe në mungesën tuaj kanë dy nënkryetarë. U mungojnë juve 5 apo 10 deputetë dhe nuk kaloni dot noterzimet që u kërkon sulltani, ju e keni kthyer Kuvendin në një noter të çdo akti që vjen nga sulltani. Nuk është dyqani juaj që hapet dhe mbyllet kur doni ju.
Duhet të kesh parasysh, dhe aq kohë sa je në atë karrige, se do vijë Sara të të zërë vendin. Përpiqu të ruash dinjitetin e institucionit që përfaqëson”, tha ai.
Ndërkohë Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij në Kuvend deklaroi se është opozita ajo që nuk mer pjesë në komisione dhe pastaj ankohet se përse nuk shtohen projektligjet.
“Grupi jonë është për të ecur para me një axhendë të ngarkuar, deri në fund, para se Kuvendi të nisë pushimet. Kemi shumë punë, janë rreth 20 akte për t’u miratuar. Më lejoni t’iu kujtoj që Kuvendi nuk nis dhe mbaron në këtë foltore, nuk zhvillohet vetëm të enjten, por gjatë gjithë javës. Ju nuk jeni në komisione dhe pastaj kërkoni pse nuk shtohen projektligjet. Ejani t’i shtojmë të gjitha, por dikush duhet të punojë, dikush duhet të vijë në mbledhje”, tha Peleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.