Ledi Biankut, anëtarit të Shqipërisë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i ka përfunduar mandati që në vitin 2017, por ai vazhdon që të ushtrojë këtë detyrë pasi listat me tre emra të dorëzuar më herët nga Qeveria shqiptare për t’u votuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, janë rrëzuar njëra pas tjetrës.
Në vitin 2016, Këshilli i Europës iu drejtua Qeverisë shqiptare për të nisur procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve që do të pasonin gjyqtarin Bianku në këtë post. Shqipëria është pjesë e listës së 40 vendeve që këtë proces e realizojnë përmes një komisioni përzgjedhës ad hoc të përbërë nga zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë e të Ministrisë së Jashtme, akademikë dhe figura të larta të sistemit të drejtësisë.
Komisioni në atë kohë, pasi shqyrtoi 11 kandidatura që shfaqën interes, përzgjodhi tre prej tyre. Ishte Ina Rama, Gent Ibrahimi dhe Sokol Berberi. Emrat iu dorëzuan Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ndërkohë që në Shqipëri lista u politizua dhe nga opozita reagoi Sali Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Berisha gaboi kur e quajti të zgjedhur Sokol Berberin, pasi në tetor të po atij vitit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës refuzoi ta marrë në shqyrtim listën e dorëzuar nga Qeveria shqiptare me argumentimin se nuk ishin plotësuar kriteret e vendosura prej saj për transparencën gjatë garës përzgjedhëse.
Nis menjëherë puna për hartimin e një tjetër liste me tre emra. Në pranverën e 2017 përfundon i gjithë procesi dhe përzgjidhen Aurela Anastasi, Aleksandër Muskaj dhe sërish Sokol Berberi. Mediat raportuan se në fillim të prillit lista e tre emrave u mor në pyetje dhe në fund u refuzua sërish nga Strasburgu. Qeverisë shqiptare iu kërkua një listë tjetër.
“E treta, (jo) e vërteta” përbëhej nga Irakli Koçollari, Suela Mëneri dhe sërish i njëjti; Sokol Berberi. Lista u dorëzua në javët e fundit të 2017, por pati fatin e dy listave paraardhëse; refuzimin të shoqëruar me kërkesën drejtuar Qeverisë shqiptare për të hartuar një tjetër listë.
Pas festave të fundvitit, Qeveria u vu sërish në lëvizje dhe këtë herë në dukje më e vendosur për të përmbushur kërkesat e Strasburgut. Ngriti komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e tre emrave të radhës dhe publikoi përmes kanaleve zyrtare thirrjet për aplikim të juristëve që plotësonin kriteret e vendosura nga Strasburgu.
Komisioni drejtohej nga Artur Metani, drejtor i Departamentit Rregullator dhe Përputhshmërisë në Kryeministri dhe anëtarët Skënder Kaçupi, shef i Departamentit të së Drejtës Penale në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, Kestrin Katro, zv.dekane e Fakultetit të Drejtësisë po në Universitetin e Tiranës, Majlinda Dhuna, drejtore e Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes në Kryeministri dhe Armand Skapi, drejtor i Drejtorisë Ndërkombëtare dhe Europiane në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në mars, e pakënaqur me numrin e aplikantëve që kishin shfaqur interes, Qeveria vendosi të shtyjë afatin e aplikimeve me 30 ditë të tjera. Procesi u mbyll më 16 prill dhe më pas nisën procedurat e intervistimit të 16 kandidatëve që kishin shfaqur interes brenda afateve.
Në fund të këtij procesi, Qeveria ka dalë me listën e katërt dhe në të është i pranishëm i njëjti emër; Sokol Berberi në krah të Marjana Seminit dhe Darjan Pavlit. Lista u publikua një muaj pasi në selinë e Gjykatës së Strasburgut u ndal ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për një vizitë zyrtare.
E përbashkëta e të treja listave është refuzimi dhe prania e Sokol Berberit në to, ndërkohë që pritet për të mësuar fatin e listës së katërt, ku sërish është emri i Berberit.
Edhe fati i kësaj liste është i pasigurtë. Deri atëherë e sigurtë është që Ledi Bianku do të vazhdojë të mbajë detyrën e gjyqtarit në këtë institucion dhe fakti që në praktikat e Këshillit të Europës refuzimi i kandidaturave bëhet kryesisht për dy arsye, së pari për mungesë transparence në procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidatëve dhe së dyti kur kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale, apo të integritetit.
Gjyqtarët zëvendësues
Rregullat e Gjykatës së Strasburgut përcaktojnë se përveç gjyqtarit që zgjidhet nga Asambleja Parlamentare si anëtar, nga qeveritë e vendeve nënshkruese të Konventës së të Drejtave të Njeriut paraqitet një listë me pesë gjyqtarë të tjerë rezervë.
Këta gjyqtarë aktivizohen vetëm në rastet kur gjyqtari rezident ka konflikt interesi, tërhiqet ose pamundësi fizike për të marrë pjesë në një proces të caktuar. Lista e dorëzuar nga Shqipëria për vitin 2018 është interesante, edhe për faktin e zhvillimeve të brendshme të vettingut.
Në të bëjnë pjesë Xhezair Zaganjori e Ardian Dvorani, anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët sapo kaluan në sitën e vettingut, por është edhe Ina Rama, ish-kryeprokurorja, sot anëtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, është Arta Vorpsi, por edhe Altina Xhoxhaj, anëtare e Gjykatës Kushtetuese e shkarkuar nga vettingu.
Anëtarët e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut zgjidhen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës përmes përzgjedhjes së kandidaturave të paraqitura në listën me tre emra nga secili shtet nënshkrues i Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Ata zgjidhen për një mandat 9-vjeçar dhe pavarësisht se propozohen nga një vend i caktuar, nuk përfaqësojnë shtetin e tyre. Gjyqtarët e Strasburgut janë krejtësisht të pavarur dhe nuk mund të ushtrojnë një aktivitet që mund të vendosë në pikëpyetje pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.