Rend dhe Ligj

E kanë rritur naftën? Ua shes unë lirë dhe fshehtas

Gazeta “SI” – Rritja e çmimit të naftës ka bërë shumë qytetarë me dhimbje koke e sakaq ka hapur diskutime se kush i mbron konsumatorët. Por ndërkohë që çmimi i karburantit vlerësohet më i shtrenjti në rajon duke rënduar direkt në xhepat e qytetarëve, një shtetas ka shfrytëzuar situatën të bëjë tregti. Një burim i sigurtë pranë policisë tregoi se si zbuluan në kryeqytet një shtetas i cili shiste direkt nga shtëpia naftë për vetëm 186 lekë për litër. Ai ndoqi parimin shit lirë në një treg të shtrenjtë dhe ngjan se nuk i munguan klientët, por edhe spiunët që njoftuan policinë.

Rasti u zbuluan nga seksioni kundër krimit ekonomik që sipas burimeve të gazetës “Si” menjëherë sapo u vu në dijeni, e mbajti nën vëzhgim shtetasin XH.L.

Ky shtetas sipas policisë u kap në kushte flagrance teksa po tregtonte naftë  në zonën e Kodër Kasharit 2. Ndërkohë që tregtimi kryhej pa pompë që duhet të ishte e regjistruar për këtë subjekt ndaj edhe akuza tjetër që rëndon ndaj tij bëhet me dije se është  ndërhyrja në aparatët matës. 

Policia thotë se qytetari tregtar i naftës së lirë, nuk dispononte një licensë nga autoritetet e Inspektoriati Shtetëror teknik industrial.

Burimet e sigurta policore i thanë gazetës “Si”, se shtetasi XH. L. instaloi një depozitë nafte në oborrin e shtëpisë  me një vëllim prej 5 tonë, e cila ishte e mbushur me naftë deri në gjysmën e saj. “Praktikisht në këtë depozitë në oborr gjendeshin 2.5 tonë litra naftë , kurse në dalje të oborrit u konstatua një pompë si ato të karburantit  dhe në të u konstatua ndërhyje pasi  shënjuesit e saj nuk xhironin dhe ajo shënonte me shkrim dore  186 lekë”,- shpjegon oficeri i policisë. Deri më tani nga hetimi i policisë është zbuluar se nafta nuk ishte kontrabandë, por besohet se ishte e vjedhur , kurse nga njoftimi që iu dha doganave u krye bllokimi i shtëpisë-karburant pasi ishte përshtatur si pikë karburanti . Policia i tregon gazetës Si se ka pyetur të dyshuarin se ku e gjeti sasinë e konsiderueshme të naftës që  e instaloi në oborr, por ai nuk ka pranuar të flasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë