Kosova

‘E kam parë draftin e Ramës’/ Hoxhaj: I rëndësishëm për diskutime të mëtejshme

Ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se e ka parë draftin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri.

Për gazetarët, Hoxhaj, i cili aktualisht është deputet i PDK-së, njëherësh edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, u shpreh se ky draft i propozuar nga kreu i qeverisë shqiptare është i rëndësishëm për zhvillimin e diskutimeve të mëtejshme.

Ai ka refuzuar që të japë komente në lidhje me këtë draft. Mbështetjen për draftin, Hoxhaj e konfirmoi më pas edhe me një status në rrjetet sociale.

“Unë mbështes qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për krizën në veri të Kosovës. Është thelbësore që Kosova të punojë së bashku me aleatët tanë strategjikë në mënyrë që të adresojmë me përgjegjësi dialogun Kosovë-Serbi dhe qasja më e qëndrueshme është përmes një marrëveshjeje të plotë të njohjes reciproke”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte se i ka dorëzuar një draft propozim, presidentit francez, Emannuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Rama theksoi se draftin nuk e ka konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe i bëri thirrje këtij të fundit që të tërheqë policinë nga ndërtesat komunale në veri e të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë