Art dhe Kulture

E di sa shumë kanë vuajtur ‘kushërinjtë’ tanë në Tiranë

Nga Liliana Segre – E nderuara Senatore, jam një lexuese me origjinë shqiptare. Disa javë më parë, Presidenti Mattarella ishte në Tiranë dhe duke folur për hapjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, tha se Italia e mbështet këtë rrugë. Do të doja të kisha mendimet tuaja për marrëdhëniet midis atyre që unë i konsideroj tani dy vendet e mia.

E nderuara lexuese, Presidenti i Republikës në fjalën e tij nga Tirana theksoi gjithashtu se “ka një harmoni, miqësi dhe bashkëpunim të madh mes Shqipërisë dhe Italisë” dhe foli për “një lidhje të shtuar nga komunitetet shqiptare që jetojnë në vendin tonë”.

Fjalë që më gjejnë plotësisht të sintonizuar dhe më japin shpresë mbi të gjitha sepse, duke pasur parasysh moshën time, e di sa shumë kanë vuajtur “kushërinjtë” tanë në anën tjetër të Adriatikut. Nuk i kisha mbushur ende 9 vjeç, por më kujtohet retorika dhe propaganda që shoqëroi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në prill 1939.

Askush në atë kohë nuk e njihte mirë Tokën e Shqiponjave, por Musolini donte me çdo kusht të tregonte një pushtim të ri duke mos qenë ai i Hitlerit, i cili kishte shtrirë dominimin mbi Austrinë, Sudetin dhe më në fund mbi të gjithë Çekosllovakinë. Kështu, përveç titullit të perandorit të Etiopisë, të marrë me fushatën e përgjakshme të viteve 1935-’36, Vittorio Emanuele III mundi të mburrej edhe me titullin e mbretit të Italisë dhe Shqipërisë.

Në shtator 1943, pas armëpushimit, Shqipëria u pushtua nga nazistët. Dhe më vonë, nga fundi i vitit 1944, çlirimi nga gjermanët shënoi ardhjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës (1908-1985): tragjikisht shtypës, e çoi vendin në izolim total ndërkombëtar që do të zgjaste deri në vitin 1992.

Për tranzicionin drejt demokracisë dhe tregut, jo pa konflikte të përgjakshme, së fundmi është botuar në italisht një kujtim interesant i Lea Ypi (Tiranë, 1979), tashmë profesoreshë e Filozofisë Politike në London School Economics, me titullin domethënës: “Të Lirë).

Duke u kthyer në vitet e Luftës së Dytë Botërore, një roman që e lexova së fundmi dhe që më goditi shumë, është “Domani e per sempre” (La nave di Teseo), debutimi narrativ i kantautorit Ermal Meta, i cili tashmë është 41 vjeç dhe mbërriti në Itali nga Shqipëria kur ishte 13 vjeç.

Romani i Ermal Metës

Protagonisti i librit quhet Kajan dhe është një djalë shqiptar që jeton në një fermë me gjyshin e tij, ndërsa prindërit partizanë janë në mal duke luftuar me nazistët. Jeta e tij ndryshon ditën kur një dezertor gjerman mbërrin në kërkim të strehimit. Ky i fundit rezulton një pianist i mirë dhe e fut djalin me artin e muzikës.

Ishte mbi të gjitha figura e ushtarit që më bëri përshtypje, aq njerëzore dhe e dizajnuar mirë. Ndoshta nuk kam takuar një nga ushtarët gjermanë si ky në robërinë time. Më bëri përshtypje edhe fakti që një i ri si Ermal Meta, tashmë një emër i njohur dhe i suksesshëm, vendosi të përballej seriozisht me historinë.

Të njëjtën gjë, në një mënyrë tjetër, ka bërë disa kohë më parë një tjetër artist i mirë: Giovanni Caccamo, tashmë 31 vjeç. Madje ky i fundit më përfshiu në një këngë të frymëzuar nga përvoja ime dhe figura e babait tim, e cila u shkri në albumin e tij Parola (2021).

Shënimet e tij ishin si një përkëdhelje për mua.Në fakt, jam gjithnjë e më e bindur se puna mbi kujtesën mund dhe duhet të shtrihet në botë që përgjithësisht mendohet se janë të largëta nga tema të caktuara “të vështira”.

Për shembull, mjediset e sportit, modës, muzikës pop, gjithashtu nëpërmjet internetit dhe teknologjive të reja. Të flasësh me njerëz tashmë të informuar, në fakt, ndoshta me mjetet e zakonshme, ka vlerë të madhe, por nuk mjafton. Ka gjithashtu nevojë për lajmëtarë dhe gjuhë të reja për të përcjellë atë që ka qenë, veçanërisht tek brezat e rinj. /Oggi/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë