Lajme

E akuzuan për vjedhje fondesh, Kastriot Çipi: Si më tha Rama se do të më padiste

Ndërsa komuniteti i qytetarëve dhe artistëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar kanë lajmëruar se do të marshojnë ditën e enjte përpara kryeministrisë dhe Presidencës, në media është publikuar një lajm mbi një vendim gjykate që ka dënuar dy regjisorë të përfshirë fort në protestat kundër shembjes së teatrit për vjedhje fondesh.

Kastriot Çipi dhe Edmond Budina rezultojnë fajtorë për veprën e përvetësimit të fondeve publike, të akorduara për veprimtari artistike të një shume prej  8.8 milionë lekësh të akorduara nga Qendra  Kombëtare të Kulturës (QKK), për realizimin e një filmi, nga shoqëria “Artemedia Film shpk” me të cilën përfaqësoheshin dy regjisorët. Film,  i cili nuk u realizua kurrë.

Gjykata vendosi për kthimin e shumës së marrë nga dy regjisorët bashkë me kamatëvonesat.

Zyra e Përmbarimit Tiranë, në vitin 2006 e pushoi urdhrin e ekzekutimit, sepse të paditurit, pra Çipi dhe Budina, nuk kishin  pasuri për shlyerjen e detyrimit.

Menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar regjisori Kastriot Çipi

 “Tema” e Bazes sot më ka akuzuar mua dhe kolegun Budina, si “të dënuar për vjedhje” me vendim gjykate.” Përmes një postimi ai ka sqaruar me disa pika duke thënë se prodhuesi i filmit ka qenë ai dhe emri i kolegut Budina nuk duhet të ishte përmendur në këtë histori.

“Por Meros dhe “rilindjes” i duhej kjo përfshirje që të përbalte edhe më tej protestën për Teatrin.

Në vijim po pastroj baltën e hedhur në drejtimin tim.”- ka vijuar Çipi duke mohuar akuza se ësthë dënuar për vjedhje.  “Jo vetëm nuk jam dënuar ndonjëherë për vjedhje, por as jam kallëzuar ndonjëherë penalisht për vjedhje, apo për çfarëdo vepre tjetër penale.”

Ai ka saktësuar se është paditur jo individi, por kompania filmike e drejtuar prej tij, por që bëhet fjalë për një padi civile  për “mosrespektim të detyrimit kontraktor”. Një vepër e cila sipas Kushtetutës nuk dënohet me burg,

Çipi ka vijuar  më tej duke thënë se nuk ka marrë njoftim për gjyqin dhe se seancat janë zhvilluar në mungesë. Shuma e pretenduar se është vjedhur nuk ka qenë  8.8 milionë lekë, sipas Çipit  por 880 mijë lekë, ndërsa kamatëvonesat kapnin trefishin e shumës së përfituar prej 2.2 milionë lekësh,

“Letra e qershorit 1999 drejtuar QKK për kthimin shumës dhe zgjidhjen e kontratës është absolutisht e vërtetë. Por pjesa tjetër e së vërtetës është se QKK nguli këmbë se filmi duhej të realizohej patjetër, pavarësisht vonesave.” –kujton Çipi duke shtuar se ishin këto kushte që e bënë Edmond Budinën të tërhiqej nga projekti, ndërsa punën e vijoi ai i vetëm. Ai ka shpjeguar edhe disa peripeci të tjera në lidhje me vonesën e mëtejshme të realizimit të filmit

“Në tetor 1999 unë dhashë dorëheqjen nga funksioni i nëndrejtorit të Teatrit Kombëtar dhe dola publikisht kundër politikave anti-teatër të ministrit të Kulturës Rama dhe projektligjit “Për Teatrin”. Nga ky moment, mes meje dhe QKK nuk pati më mirëkuptim dhe vullnet për zgjidhjen e problemeve që lidheshin me realizimin e filmit.” – ka përfunduar Çipi deklaratën e tij, ndërsa ka thënë se padinë për “mosrespektim detyrimi kontraktor” nga QKK e ka mësuar në vitin 2000 nga Edi Rama, asokohe ministër i Kulturës, në një takim në kryeministri ku diskutohej projektligji për Teatrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë