Gazeta Si- Dy të rinjtë, Mikelian Toma, 32 vjeç, dhe David Simoni, 34 vjeç, të cilët u arrestuan të mërkurën në Shkodër pas një ndjekje nga policia, dyshohet se ishin nisur për të vendosur një sasi tritoli.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, plani i dy të rinjve hedh dyshime pasi edhe pas kontrollit të dy makinave të tyre, ku u gjetën një bidon me benzinë, një silenciator dhe kokainë.
Toma dhe Simoni kanë “kyçur gojën” gjatë marrjes në pyetje duke mos u treguar bashkëpunëtorë. Deri më tani nuk dihet kush ishte shënjestër e tyre, ndërsa hetimet në vijim pritet të zbardhin detaje më të plota.
Pavarësisht se dyshimet e grupit hetimor janë se dy të rinjtë ishin nisur për vendosje tritoli, të cilin dyshohet se e kanë hedhur gjatë kohës që kanë qenë në ndjekje nga policia, lënda plasëse nuk është gjetur.
Një ditë më parë, policia ka parë motorin në një prej rrugëve të lagjes “Xhabije” në të cilën po lëviznin dy persona me kaskë mbrojtëse. Atyre u është bërë thirrje të ndalojnë, por drejtuesi i motorit i ka dhënë gaz dhe janë larguar.
Policia i është vënë më pas në ndjekje përmes rrugicave për 20 minuta. Ndalimi i tyre është bërë pranë varrezave të dëshmorëve, në momentin kur motori u përplas. Nga verifikimi i bluve rezultoi se targa e saj ishte e vjedhur dhe me numër shasie të ndryshuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.