Rend dhe Ligj

Fiken kompjuterat pas dyshimeve për sulm kibernetik, Policia e Shtetit: Sistemet punojnë normalisht

Gazeta Si - Një sulm kibernetik dyshohet se është kryer këtë të premte ndaj strukturave dhe sistemit online të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve jo zyrtare, për të parandaluar çdo të papritur, zyrave dhe pikave kufitare të Policisë së Shtetit u është dhënë urdhër që të fikin çdo pajisje kompjuterike si masë parandaluese.

Pas publikimit të këtij lajmi reagoi Policia e Shtetit. Ajo thotë se në mënyrë të vazhdueshme në bazë të një pune profesionale merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përditësim.

Por pas publikimit të këtij lajmi, Policia e Shtetit sqaron se sistemet në përdorim nga ajo vazhdojnë funksionimin e tyre normal.

“Lidhur me publikimet e ndryshme në media për një sulm kibernetik, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se në mënyrë të vazhdueshme, në bazë të një pune profesionale parandaluese, merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përdorim. Sistemet në përdorim nga Policia e Shtetit vazhdojnë funksionimin e tyre normalisht”, njoftoi policia.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera bien pre e sulmeve kibernetike.

Rreth dy vjet më parë, në sistemet e sigurisë së Policisë së Shtetit, kryesisht në sistemin online të pikave kufitare, është futur grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”, të cilët publikuan disa video. Po ashtu më herët janë prekur edhe sistemet TIMS apo dhe sistemi e-Albania.

Shqipëria ka akuzuar Iranin se fshihej pas këtij sulmi, duke shkëputur në këtë mënyrë marrëdhëniet diplomatike pas vërtetimit të akuzave se fshiheshin ata pas sulmeve kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë