Rend dhe Ligj

Dyshimet për testin e drogës, policët i shpëtojnë pezullimit. Nano: Ritestimi në laboratorët shtetërorë, asnjë vendim pa u bindur

Dyshimet e testit anti-drogë për punonjësit e Policisë së Shtetit, çështje të cilën e ka trajtuar prej 3 ditësh Gazeta Si duke sjellë edhe historitë e disa prej uniformave blu në moshë dhe afër pensionit, sollën reagimin e parë publik të Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, i cili tha sot se verifikimet do të bëhen në një fazë të dytë në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent.

Gledis Nano, ka sqaruar se të gjithë ata punonjës që kanë rezultuar pozitiv në testin paraprak të drogës, nuk do të pezullohen direkt nga puna.

Sipas tij, do të jenë strukturat e posaçme ato që do të vendosin përfundimisht në lidhje me pozicionimin e tyre.

“Testi i drogës do të zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara dhe nuk do të merret asnjë veprim penalizues për asnjë punonjës policie pa u bindur plotësisht për këta punonjës që rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike, – u shpreh Nano. “Nuk ka përfunduar procesi, testi i drogës është vetëm në fazat fillestare të saj”, tha ai.

Nano shpjegoi se ky proces nuk ka për qëllim terrorizimin e forcave të policisë, duke përsëritur se “testi i drogës ka procedurat dhe nuk do të merret asnjë vendim pa u bindur plotësisht për punonjësit që rezultojnë pozitiv”.

Ai tha se qëllimi është parandalimi i përdorimit të lëndëve narkotike nga punonjësit e policisë: “Duam të kemi punonjës të pastër dhe më pas do vazhdojmë me fazat e tjera të testimeve nga institucione të tjera shtetërore”.

Nano nuk dha shifra për numrin e policëve që kanë rezultuar pozitivë në testin e drogës, pasi u shpreh se nuk do të krijojë konfuzion lidhur me rezultatet e arritura deri tani.

Për sa i përket rezultateve kontradiktore ai shtoi se analizat janë zhvilluar në raundin e parë dhe do të zhvillohen përsëri analiza në institucione të tjera shtetërore.

Në ditët e fundit, me dhjetëra punonjës policie në moshë madhore, janë ankuar se testi i drogës që kanë kryer në laboratorët mjekësorë nuk ka qenë i saktë, teksa kanë rezultuar pozitivë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë