Prokuroria e Frankfurtit ka urdhëruar kontrolle në bazë të një hetimi për evazion fiskal, ku paraprakisht thuhet se është e përfshirë edhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB). Rreth 200 agjentë policie zbarkuan në zyrat dhe apartamentet në pronësi të disa funksionarëve “aktualë dhe ish”, pasi ata akuzohen për evazion fiskal.

Bëhet fjalë për të ardhurat që vijnë nga reklamat dhe drejtat televizive, dhe sipas prokurorit të çështjes ato nuk janë deklaruar qëllimisht të sakta. Kjo pretendohet se ka ndodhur në periudhën 2014-2015 dhe flitet se Federata ka kursyer nga taksat plot 4.7 milionë euro.

Kërkimet nga policia u përqendruan në 5 rajone të ndryshme si Hessen, Bayern, Niedersachsen, Rheinland-Pfalz, Nordrhein-Westfalen, ndërsa momentalisht nuk janë konfirmuar detaje të mëtejshme për rastin, as emrat e personave të dyshuar për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




