Ngjarje

Dyshime për vetëvrasjen e një shqiptari në furgonin e burgut në Greqi, i vëllai: E vranë gardianët

Një 39-vjeçar shqiptar i dënuar në Greqi, dyshohet se i dha fund jetës disa ditë më parë duke u vetëvarur brenda në furgonin-kafaz të policisë në burgun famëkeq Melandrinos.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes së shkuar, por autoritetet greke e raportuan lajmin të dielën.

Mësohet se viktima është 39-vjeçari, Adem Rusi nga fshati Zvezdë i Bashkisë Maliq. Ndërkohë, rrethanat dhe motivet janë ende të paqarta.

Por vëllai i viktimës, Shkëlqim Rusi, hedh dyshime të forta për vdekjen e 39-vjeçarit. Sipas tij bëhet fjalë për një vrasje dhe jo vetëvrasje.

“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut, – tregon Shkëlqim Rusi. – Pastaj më thanë që kishte pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e pa pranueshme, është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin”.

Rusi evidenton edhe raportimet kontradiktore mbi vdekjen e të vëllait, për të cilin thotë se janë të përfshirë pikërisht gardianët që e ruanin.

“Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje, atë e kanë vrarë gardianët që e kanë shoqëruar. Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse, për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke”, është shprehur ai.

Vëllai i viktimës ka kërkuar që të bëhet autopsia në Shqipëri dhe të zbardhet e vërteta. Për mediat, ai ka deklaruar se i vëllai i ndjerë nuk kishte asnjë problem me shëndetin mendor.

“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë trupi. Të bëhet autopsia, pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë”.

Shkëlqim Rusi këmbëngul se “të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët, nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”, – thekson ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë