Lajme

Dyfishohet energjia e prodhuar nga koncesionarët

Energjia e prodhuar në vend është rritur,  koncensionarët kanë dyfishuar prodhimin.

Sipas të dhënave të INSTAT për prodhimin e energjisë elektrike në vend, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, energjia elektrike është rritur me 1,6 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë rezulton e dyfishuar, duke arritur vlerën 2.707 GWh nga 1.424 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Ky prodhim i energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 66,3 % të prodhimit neto vendas dhe nga hidrocentralet private dhe koncensionare që realizuan 33,7 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2018, realizuan 1.795 GWh nga 963 GWh të realizuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me rreth 1,9 herë.

Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, realizuan 912 GWh nga 461 GWh të realizuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 2 herë.

Rritja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e dytë të vitit 2018, ka ndikuar në uljen e importeve bruto të energjisë elektrike dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike , krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importi bruto i energjisë elektrike në tremujorin e dytë të vitit 2018, rezultoi me ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në tremujorin e dytë të vitit 2018, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.106 GWh nga 170 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë