Në një vizitë në Qendrën e Urgjencës Kombëtare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të dyfishohen ekipet e terrenit për shërbimin në shtëpi për qytetarët e prekur nga Covid-19.
“Janë mbi 500 thirrje në ditë vetëm për Covid19 në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Nga ana tjetër Urgjenca Kombëtare vijon që të japë shërbime edhe për gjithë patologjitë e tjera. Edhe kjo falë një pune dhe një organizimi shumë të mirë, të bërë nga ana juaj, me gjithë spitalet”, tha Manastirliu.
Ndërkohë Ministrja i bëri thirrje qytetarëve që t’i referohen strukturave shëndetësore nëse kanë shenja të infektimit.
Më tej u raportua se në Urgjencën Kombëtare priten 540 thirrje në ditë vetëm për Covid-19 dhe kryhen rreth 50 shërbime në ditë nëpër shtëpi. Siç është bërë me dije edhe më parë që nga fillimi i epidemisë janë mbi 1 mijë qytetarë që janë dërguar për trajtim spitalor, ndërsa në total janë 2411 qytetarë të prekur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




