Covid-19 ka shënuar dy viktima të tjera në radhët e mjekëve dhe personelit shëndetësor. Një ditë më parë ka ndërruar jetë Mimoza Toska Zoraqi, specialiste e promocionit të shëndetit publik, në Autoritetin Shëndetësor të Tiranës. Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Është një nga ata lajme që të shkaktojnë një hidhërim të papërshkrueshëm. Mimoza ishte një zonjë e mrekullueshme, që rrezatonte veç mirësi, forcë dhe optimizëm me buzëqeshjen e saj të pandarë”, shkruan Manastirliu në një postim të sajin.
Ndërkaq, edhe në Elbasan, ka ndërruar jetë për shkak të Covid-19 mamia Majlinda Ilirjani, e moshës 50-vjeçare. Sipas Urdhrit të Infermierëvë të Shqipërisë, Majlinda ushtronte profesionin e mamisë pranë Spitalit Rajonal të Qarkut të Elbasanit.

“Majlinda ushtronte profesionin e mamisë prej 30 vjetësh. Ndarja nga jeta e koleges sonë është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët e saj, por edhe për kolegët dhe nënat e reja që ajo u shërbeu me devotshmëri dhe profesionalizëm “, shkruhet në një postim të Urdhrit të Infermierëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




