Menaxhim

Dy projekte të reja, shkon në 33 numri i prodhuesve fotovoltaikë në vend

Nga Gazeta ‘SI’ – Enti Rregullator i Energjisë po shqyrton licencimin  e dy impianteve të reja fotovoltaike për ta çuar në 33 numrin total në vend.

Shoqëria “Erseka Solar Park 2” ka kërkuar të licensohet për instalimin e një centrali fotovoltaik në  fshatin Starje në Ersekë, me kapacitet 20 megavat. Shoqëria “ALB SUN ENERGY” ka kërkuar të licensohet për të ndërtuar një impiant më të vogël, 2 megavat në fshatin Povelçë, Fier.

Zona e Fierit, Elbasanit dhe Durrësit janë më të preferuarat për investitorët fotovoltaikë, lidhur kjo me ditët e shumta me diell, por edhe me hapësirat e mëdha të tokave djerrë atje, që mund të shfrytëzohen.

Miratimi i këtyre projekteve e çon në 33 numrin e impianteve fotovoltaike në Shqipëri, shumica të miratuara vitin e shkuar.

Projektet solare me aplikim nuk përfitojnë asnjë lloj mase apo ndihme nga qeveria, zakonisht ato janë për vetëkonsum ose mund të shesin energjinë tek OSSHEE. Impiantet më të mëdha mund të dalin ta shesin në treg të lirë.

Gjithsesi, nga shifrat e ERE, energjia solare është ende në vlera shumë të papërfillshme, ndaj totalit të energjisë së prodhuar dhe kërkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë