Lajme

Dy porte me koncesion? Pse te mos dihet leverdisshmëria e tyre

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shpallte ditë më parë fituesit e dy tenderave për dhënien me koncesion të portit të jahteve në Kepin e Rodonit dhe Portit të jahteve Limjon Sarandë.

Respektivisht për vlerën 883 milionë Lekë, (pa TVSH) dhe 1,4 mld lekë, të dy për një periudhë 35 vjeçare.

Për Kepin e Rodonit u shpall fitues bashkimi i përkohshëm i kompanive “Praslin Investment” dhe “R&T” me aksionerë shtetasin Roland Ziu dhe Renis Tershana.

Për ofertën e kërkuar të ndërtimit të Marina Rodon nuk pati konkurrentë të tjerë dhe si rrjedhojë asnjë ankesë.

Koncesioni i portit të jahteve në veri të Sarandës është fituar nga shoqëria “Kastrati dhe Edil-Al”.

Lloji i kontratës në të dy rastet është Punë Ndërtim Operim Transferim.
Porti në Kepin e Rodonit është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit rreth 7 km larg Kepit të Rodonit.

Koncesioni për Marina Limon është parashikuar si Port Turistik i Shërbimeve.

Por çfarë përmbajnë projektet konkretisht, në çfarë do të investohet, cili do të jetë përfitimi ekonomik dhe termat e kontratës për të dy palët; kompanitë dhe shtetin, po impakti tek qytetarët?

Përgjigjja e këtyre pyetjet duhet të gjendet tek studimi i fizibilitetit që sipas ligjit në fuqi, për koncesionet respektive duhej të dorëzohej pranë Prokurimeve bashkë me dokumentet e konkurimit.

Këto pyetje ia drejtuam Ministrisë së Infrastrukturës gati disa javë më parë, e cila nuk është përgjigjur.

Mungesa e një përgjigjeje nga Ministria e Infrastrukturës për leverdisshmërinë e këtyre dy koncesioneve e bën "të pafajshëm" edhe hamendësimin se ndoshta me e keqja nuk ekziston asnjë studim fizibiliteti ose me pakta ai është i dobët.

Studimi i fizibilitetit përdoret për të përcaktuar leverdishmërinë e një ideje (ngritja e porteve në këtë rast), për të siguruar që një projekt është ligjërisht, teknikisht dhe ekonomikisht i justifikuar. Ndonjëherë një projekt nuk mund të shkojë deri në fund për shumë arsye, duke përfshirë edhe arsyen e kostos së lartë.

Një studim i mirë-projektuar shqyrton sfondin historik të projektit, duke shkuar më thellë tek financat, zbatimin, menaxhimin, përdoruesit, politikat dhe kërkesat ligjore. Në përgjithësi, studime të tilla paraprijnë procesin e zhvillimit. Vazhdimi i projektit varet nga realizueshmëria.

Në mujain gusht të këtij viti, pak muaj pasi qeveria anuloi procedurat për ndërtimin me koncesion PPP të autostradës Thumanë – Kashar kundrejt vlerës rreth 330 milionë euro, studimi i fizibilitetit, me financimin e donatorëve, do të tregonte se, kosto e segmentit kushtonte 169 milionë euro ose gati 50% më lirë se koncesioni.

Në janar të po këtij viti ministrja e sapo ardhur në detyrë, Belinda Balluku, në daljen e parë për mediet do të bënte me dije se paratë për këtë koncesion do të shkonin për “Paktin për Universitetin” dhe për ndërtimin e rrugëve të tjera.

E nëse protestat e studentëve nuk do të kishin shpërthyer, dhe nuk do të ishte bërë studimi i fizibilitetit, Thuman-Kashar ndoshta dot'ju kushtonte shqiptarëve dy –fish.

Si FMN dhe Banka Botërore prej kohësh dhe në vazhdimësi kanë kritikuar qeverinë shqiptare për koncensionet me Partneritet Publik Privat pasi sipas tyre kontratat koncesionare janë të hartuara dobët dhe me risk të lartë.

“Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e PBB-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të PBB-së”, do të citonte një raport i FMN-së për Shqipërinë.
Për organizmat financiarë ndërkombëtarë në lidhje me kontratat koncesionare problematikë e thkeshme është mungesa e transparencës dhe padijenia nëse përfituesit janë realisht qytetarët.

Parlamenti shqiptar në seancën e fundit të sezonit të kaluar në korrik miratoi një ligj, i cili ndalon dhënien e koncensioneve të pakërkuara.

Kjo ishte kërkuar prej kohësh nga FMN dhe BB.

Në 6 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste janë dhënë më shumë se 2.500 koncensione dhe tendera, ku mbi 80 % e tyre janë me oferta të pakërkuara nga qeveria, por që janë ofruar nga kompanitë koncensionare, fatura e të cilave është më shumë se 3 miliardë euro, e shtrirë kjo në më shumë se 35 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë