Nga Gazeta Si- Pas ndarjes me respekt dhe mirëkuptim reciprok, siç deklaronin në Janar, Princ Leka dhe Elia Zaharia janë përfshirë në sherr për vajzën.
Të dy kanë denoncuar njëri-tjetrin për dhunë në Komisariatin nr 1 të Policisë në Tiranë ku dhe kanë kërkuar urdhër mbrojtje.
Sipas të dhënave paraprake, ka qenë Princ Leka ai që ka bërë denoncimin i pari, duke deklaruar se Elia, së bashku me babain e saj Gjergj Zaharia e kanë dhunuar ndërsa ai ka shkuar për të takuar vajzën e tij.
Teksa shkoi të takojë vajzën, u takua përball me Gjergjin, ish-vjehrrin i cili po kujdesej për mbesën pasi Elia nuk ndodhej në banesë. Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm. Princi pretendon se është dhunuar nga Gergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bere akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje.
E gjitha nisi ditën e djeshme gjatë pasdites, ku Princ Leka shkoi për të vizituar vajzën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia.
Leka është përballur me ish-vjehrrin e tij Gjergj Zaharia i cili po kujdesej për mbesën e tij, pasi Elia nuk ndodhej në shtëpi. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, Princ Leka shprehet se është fyer nga ish-vjehrri dhe është goditur me një send të fortë para vajzës së tij.
“Ka qenë në ora 15:20minuta, 5 mars, në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tiranë për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçarare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.
Me pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.
Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.
Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.
Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.
Në këto momente situata ka agravuar ku shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një sende të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, thuhet në dëshminë e Princ Lekës.
“Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë! Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën”, shkruhej në deklaratën zyrtare të Oborrit Mbretëror, kur zyrtarizoi ndarjen.
Pas këtij njoftimi reagoi edhe Elia Zaharia e cila shkroi se “Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur!”.
Në vitin 2016 Elia Zaharia dhe Princ Leka u martuan në një ceremoni që mori jo pak vëmendje. 4 vite më vonë ata sollën në jetë një vajzë të cilës i vendosën emrin e gjyshes së Princit Leka II, Geraldinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.