Lajme

Dy fluturime të tjera me afganë, nis strehimi i tyre në Qytet Studenti

Dy avionë të tjerë me refugjatë afganë u ulën brenda pak orësh në Aeroportin e Rinasit me një total prej 155 personash, mes të cilëve edhe fëmijë.

Një avion u ul rreth orës 23:00 të së premtes, ndërsa avioni tjetër u ul rreth orës 02:00.

Fluturimi i parë u prit nga Rinasi nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndërsa në të dytin i pranishëm ishte vetë Kryeministri Edi Rama.

Afganët e mbërritur me dy fluturimet e fundit u shtohen 121 të tjerëve që mbërritën në fluturimin e parë, duke e çuar numrin total të tyre në 276 refugjatë.

Grupi i parë i tyre u strehua në hotelet e Durrësit, ku Kryeministri Edi Rama i vizitoi ditën e premte dhe u tha se tashmë do t’u duhej që të mësonin shqip. Pjesa e mbërritur me dy fluturimet e dyta janë strehuar në konviktet e Qytetit Studenti, ku janë përshtatur katër prej këtyre godinave për të pritur refugjatët.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mund të presë deri në 4 mijë refugjatë, ku 2 mijë janë në listën e miratuar dhe për 2 mijë të tjerë është duke u biseduar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë