Arsim

Dy fjalorë të rinj për fëmijët 5-12-vjeç mbeten në letër, shkak mungesa e fondit për ti shpërndarë në shkolla

Dy projekte për prodhimin e fjalorëve të gjuhës shqipe për moshat 5-11-vjeç dhe mbi 12-vjeç, projekte të financuara nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Universiteti i Tiranës kanë mbetur në letër.

Të dyja produktet me mjaft vlerë për shkollat shqipe kudo ku janë, brenda e jashtë vendeve, nuk merren përsipër nga shtëpitë botuese pasi nuk ka fonde të planifikuara për shpërndarjen e tyre në shkolla.

Shqetësimin e shpreh për Gazetasi.al gjuhëtari Shezai Rrokaj i cili së bashku me Anila Kananaj, janë bashkëautorë të dy fjalorëve të gjuhës shqipe që hartohen për herë të parë.

“Fjalori (5-11-vjeç) është mbështetur nga AKKSHI, (Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor) vetëm për ta realizuar dhe promovuar. Kurse fjalori mbi 12-vjeç, është mbështetur nga UT vetëm për ta prodhuar dhe promovuar. Në të dyja rastet problemi është si ky produkt të bëhet i aksesueshëm për shkollën, për trojet kosovare, maqedonase dhe diasporë. Disa shtëpi botuese kanë shfaqur interes, por vetëm kaq”, thotë Rrokaj për Gazetasi.al.

Gjuhëtari, njëherësh shef i Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në fakultetin e Filologjisë, Shezai Rrokaj, thotë se vepra të tilla duhet të administrohen nga ministria e Arsimit, sepse lidhen me shkollën, mësimin e gjuhës shqipe, me detyrimet që ka shteti për diasporën.

Rrokaj thotë se të dy fjalorët u shërbejnë edhe mësuesve e prindërve për të ndihmuar fëmijët në përvetësimin e lëndëve mësimore.

 Sipas tij, ata që duan të përmirësohen më tej në shqipen standarde mund t’i përdorin me sukses këta fjalorë.

Gjithashtu, fjalorët u shërbejnë dhe të huajve që duan të mësojnë ose të përmirësojnë aftësitë e tyre në gjuhën shqipe.

Fjalorët ofrojnë leksikun bazë që nevojitet në komunikimin e përditshëm për secilën grupmoshë, si dhe një numër fjalësh të përzgjedhura me kujdes, që ndihmojnë në të kuptuarit e teksteve shqip me karakter të përgjithshëm, përfshi këtu kinemanë dhe medien.

Për hartimin e fjalorëve është ndërtuar një korpus prej rreth 100 milionë fjalëformash, të përbërë nga tekste shkollore dhe letrare specifike për secilën grupmoshë, duke përfshirë edhe materiale me përralla popullore ose edhe shkrime nga shtypi i ditës.

E veçanta e fjalorëve është që shpjegimet bëhen me perifrazime të thjeshta e sinonime në përshtatje me zhvillimin gjuhësor e psikik të secilës grupmoshë.

Me këta fjalorë, plotësohet një mungesë dhe sillet një risi për shkollën dhe gjuhën shqipe, për gjithë komunitetin që merret me edukimin e fëmijëve në gjuhën shqipe në hapësirat ku ka popullsi autoktone shqiptare ose në diasporë, për të huajt dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre në shqipen standarde.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë