Rend dhe Ligj

Dy britanikë hetohen për spiunazh në Shqipëri, u morën në pyetje nga SHISH në Rinas

Dy shtetas britanikë janë ndaluar në fund të muajit maj dhe janë marrë në pyetje nga agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror në Aeroportin e Rinasit nën dyshimet e spiunazhit.

Kështu shkruajnë mediat britanike, ndërkohë që për rastin në fjalë nga autoritetet shqiptare pati një njoftim zyrtar pa shumë detaje, ku thuhej se ishin bllokuar pajisje të dyshimta në Rinas.

Dy britanikët, sipas mediave britanike, janë ndaluar në Aeroportin e Rinasit pasi në bagazhet e tyre u gjetën dy radiotransmetues të sofistikuar të markës “Kenwood”.

Shtetasit britanikë kanë deklaruar se ishin inxhinierë IT, që kishin marrë me vete dy radiotransmetueset për të ushtruar hobin e tyre gjatë pushimeve në Shqipëri.

Ata janë marrë në pyetje, sipas “The Mirror” nga agjentë të shërbimit të inteligjencës shqiptare (SHISH) dhe më pas janë dëbuar sërish për në Britaninë e Madhe, ndërsa ndaj tyre është hapur një hetim.

Dyshimet e autoriteteve shqiptare kanë lindur nga fakti që radiotransmetueset që iu gjetën në bagazhe janë shumë të rralla në përdorimin civil, për shkak të aftësisë që kanë për të maskuar komunikimin dhe ofruar atë në distanca të largëta gjeografike në krahasim me radiotransmetueset e tjera.

Dy radiotransmetueset janë sekuestruar dhe sipas Mirror po ekzeminohen në laboratorët e kriminalogjisë të Shqipërisë.

“Çështja është nën hetim dhe ne po vazhdojmë të ekzaminojmë pajisjet e sekuestruara”, citohet nga mediat britanike kreu i policisë kufitare, Eduard Merkaj,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë