Ngjarje

Dy aksidente në punë brenda pak orësh/ Në Bulqizë vdes minatori! Në Sarandë punëtori bie nga lartësia, sillet në Tiranë në koma

Një 62-vjeçar është plagosur rëndë në Sarandë, pasi ka rënë nga një skelë teksa punonte në një kantier ndërtimi. Servet Ziflaj, është nisur paraditen e kësaj të diele me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar, pasi gjendja shëndetësore është kritike.

Burime nga spitali i Sarandës bëjnë me dije se ai është paraqitur ditën e djeshme në urgjencën e Sarandës pasi kishte rënë nga një lartësi rreth 3-4 metra në kantierin ku punonte.

Fillimisht ai ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por sot situata u përkeqësua dhe hyri në gjendje kome. Mjekët dyshojnë për trauma të brendshme dhe dëmtim të disa organeve. Një hetim për rastin është çelur për të monitoruar kushtet e sigurisë në punë dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Pak orë më vonë, u njoftua se një 60-vjeçar është dërguar në spital pa shenja jete këtë të diel në Bulqizë. Dyshohet se viktima është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë.

Sakaq, policia po shoqëron personat përgjegjës, ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.

Rreth orës 11.30, është dërguar në spital pa shenja jete, shtetasi Zini Murati, rreth 60 vjeç, i cili dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar, në Bulqizë. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.

Tragjedia me viktima në minierat e Bulqizës përsëritet brenda pak ditësh. Në 21 maj, minatori 29-vjeçar Armand Peshku humbi jetën pasi një masiv dheu e zuri poshtë teksa ishte duke punuar në nëntokë. Po ashtu i plagosur rëndë mbeti punëtori tjetër, 40 vjeçari Hajdar Bala, i cili u dërgua me helikopter në spitalin e traumës me dëmtime të shumta në trup. Në lidhje me këtë ngjarje policia arrestoi administratorin e subjektit minerar, pasi nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë dy vagonistët.

Përgjatë këtij viti, janë regjistruar 15 ngjarje tragjike të aksidenteve në punë. Rritja e ndjeshme e numrit të viktimave në punë ka sjellë edhe reagimin e sindikatave.

Në një deklaratë të tyren kërkohet rritja e sigurisë për punëmarrësit, por edhe kërkohet nga autoriteti të reagojnë për të marrë masa me qëllim ndalimin e përsëritjes së rasteve.

Ky është rasti i 8 i aksidenteve në punë në një periudhë një mujore. Ndërsa me dy rastet e sotme, numërohen 15 viktima nga aksidentet në punë gjatë vitit 2024

Viktimat e aksidenteve në punë, në një periudhë njëmujore, maj-qershor
Emiliano Frroku, 28 vjeç, punëtor ndërtimi, i vdekur
Preng Gjoni, 50 vjeç, punëtor ndërtimi, i vdekur
Armando Peshku, 29 vjeç, minator, i vdekur
Hajdar Bala, 40 vjeç, minator, i plagosur
Jurgen Veshi, 24 vjeç, punëtor në gurore, i vdekur
Adrian Fejzullahi, 53 vjeç, punëtor ndërtimi, i vdekur
Servet Ziflaj, 62 vjeç, punëtor ndërtimi, i plagosur në koma
Zini Murati, 60 vjeç, minator, i vdekur


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë