Gazeta Si – Për herë të parë në vendin tonë organizohet Champions League e shahut për meshkuj dhe femra. Ceremonia e hapjes së këtij eventi shumë të rëndësishëm për këtë sport u zhvillua të shtunën në qytetin e Durrësit, që mirëpret aktivitetin.
Marrin pjesë 84 klube për meshkuj dhe 26 për femra nga e gjitha Europa. Aktiviteti është programuar të zhvillohet me 7 raunde dhe përfundon më 8 tetor. Shqipëria përfaqësohet me Tiranën për meshkuj dhe Teutën për femra.
Përshëndetjen e rastit e ka bërë presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, ish-shahist i suksesshëm. Ka folur po ashtu edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili tha:
“Federata Shqiptare e Shahut ka organizuar dy aktivitete këtë vit, në maj Kampionatin Europian të Shkollave dhe tani Champions League për klube. Falënderoj presidentin e Federatës Europiane të Shahut dhe atë të Federatës Botërore të Shahut që kanë zgjedhur Shqipërinë për këtë aktivitet kaq madhor”.

Në ceremoni foli edhe presidenti i Federatës Europiane të Shahut, Zurab Azmaiparashvili. Pasi uroi shahisten Kler Çaku për titullin kampione Europe në kategorinë Rapid, ai u shpreh:
“Së pari falënderoj mikun tim Erald Dervishi, por edhe shahun shqiptar që mori përsipër organizimin e Kupës së Europës për klubet. Jam i bindur që të gjithë do të shijojnë bukuritë e këtij vendi dhe do të bëjnë një garë cilësore. Kam bindjen se Shqipëria do tregojë vlera dhe mundësi për aktivitete të tjera”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




