Drejtësia

Dumani para KLP: Institucionet shtetërore të denoncojnë korrupsionin. Kemi sekuestruar 41 mln euro pasuri me origjinë kriminale

Dumani para KLP: Institucionet shtetërore të denoncojnë korrupsionin. Kemi sekuestruar 41 mln euro pasuri me origjinë kriminale

Gazeta Si - Gjatë raportimit të tij në KLP për punën 1-vjeçare të SPAK-ut, kreu i saj Altin Dumani tha se në krahasim me 2022-in, këtë vit ka pasur ulje me 40% të referimeve për korrupsion nga institucionet publike.

Dumani ngriti shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në lidhje me hetimin e krimit të organizuar SPKA ka ndjekur strategjinë e hetimit shterrues duke synuar shkatërrimin përfundimtar të tyre. Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendecë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit", tha Dumani.

Rënia e referimeve, si në nivel qëndror apo lokal i vlerësoi si shumë shqetësuese për SPAK, pasi i vetëm nuk mund ta përballojë luftën kundër kësaj gangrene dhe ai ftoi të referojnë rastet duke ofruar një bashkëpunim të ngushtë me ta.

Ky është shqetësim për SPAK. pasi SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë një funksion shtetëror. Është e nevojshme dhe domosdoshme forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera. Ne si strukturë, BKH apo SPAK jemi shumë të hapur e shumë bashkëpunues me të.

Pasuritë e sekuestruara

Në një bilanc për veprimtarinë e SPAK, Dumani tha se “në vitin 2023 janë sekuestruar e konfiskuar 41 milionë euro pasuri me origjinë kriminale. Nga të cilat 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën e 22.5 mln euro dhe 46 % të sekuestruara në vlerën 19 milionë euro".

Ai shtoi se puna e SPAK ka ndikuar që Shqipëria të dalë nga lista gri e pastrimit të parave. “SPAK ka luajtur një rol për të nxjerrë Shqipërinë nga lista gri e pastrimit të parave. Ka krijuar besueshmëri me institucionet rajonale dhe më gjerë . Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK-ut për të dhënë kontributin e tyre. Ka progres në luftën ndaj korrupsionit”, tha Dumani.

Problematikat

Gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Altin Dumani ka shtruar disa nga problematikat që përballet institucioni që ai drejton, Pikë së pari, Dumani ka vënë theksin se përveç Policisë së Shtetit, asnjë institucion tjetër, qoftë në nivel qendror ashtu edhe lokal, nuk raportojnë për veprën e "korrupsionit" apo paligjshmëri të tjera penale.

“Kemi çmuar disa problematika, të evidentuara nga puna 4 vjeçare e institucionit, që duhet të reflektohen në mundësinë e ndryshimeve ligjore. Mungesë e përcaktimit të qartë ligjor të statusit prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Mungesa e këshilltarëve ligjorë, të domosdoshëm për analizën ligjore të çështjeve. Ngarkesa në dosje, por edhe një detyrë e re që i ngarkohet kreut të SPAK është përfaqësimi i Komisionerit Publik në përfundim të procesit të vettingut në KPA.

Mungesa e hetuesve

Nga ana tjetër, ai vuri theksin edhe për mungesën e hetuesve. “Është i nevojshëm shtimi i hetuesve të BKH. Mbi 75 % e hetimeve aktuale kryhen nga BKH. Ne konstatojmë që kemi rritje të ngarkesës dhe kur vjen puna tek bashkëpunimi me autoritetet e huaja, po shkojmë në një situatë, ku nuk po mundemi t’i adresojmë dhe delegojmë çështjet penale. Kemi 60 aktualisht, por një numër i tyre është tek qendra e përgjimeve, të cilët nuk mund të merren me veprime të tjera hetimore”, tha ai.

Bilanci

Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi se ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë regjistruar 8 procedime penale dhe gjithashtu ka një rritje të regjistrimit të veprave penale në kuadër të korrupsionit gjate 2023. Sakaq nënvizoi se eshtë forcuar sektori financiar, për të hetuar pasuritë.

“Ka rezultate pozitive, pasi vlerat e pasurive të sekuestruara arrin prej 41 milionë euro, 54 % e zënë pasuritë e konfiskuara dhe 46% e zënë pasuritë e sekuestruara. Prokuroria ka regjistruar një numër të lartë në një tendencë në rritje për procedime penale për korrupsion. Për 2023 është vënë re një rritje e procedimeve penale të reja. Vëmendje i është kushtuar kërkesave për ndihmë juridike të dërguara agjencive jashtë vendit. Ndërsa mbi 200 procedime penale janë bërë për korrupsion. Ndërkohë hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta që për vitin 2023 janë ngritur në Itali, por edhe në Francë dhe vende nordike, apo në rajon si RMV dhe Kosova. Qasja proaktive ka dhënë rezultate në luftën kundër korrupsionit”, tha ai.

Objektivat

Dumani renditi edhe disa objektiva për të ardhmen në punën e SPAK-ut, që sipas tij kanë të bëjnë që nga përmirësimi i kapaciteteve të hetimeve, tek shtimi i strukturave mbështetëse, bashkëpunimi ndërkombëtar e deri tek ngritja e një sistemi të administrimit të çështjeve.

“Objektivi i parë është përmirësimi i kapaciteteve të hetimit penal. Së dyti forcimi i kapaciteteve për hetimin financiar dhe pasurore, qasja proaktive në hetimin e pastrimit të parave, nxjerrja e akteve nënligjore për goditjen e pastrimit të parave, forcimi i hetimeve kundër financimit të terrorizmit, sigurimi i standarde të larta ligjore të integritetit institucional, shtimi i strukturave mbështetëse, forcimi i ndihmës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, reduktimi i çështjeve të mbartura, forcimi i transparencës dhe komunikimi me publikun si dhe ngritja e sistemit të administrimit të çështjes”, tha Dumani gjatë fjalës së tij para KLP-së.

(Mos) bashkëpunimi me policinë

Kreu i SPAK, tha se mbetet ende problematike përfshirja e policëve në krimin e organizuar, duke penguar punën për bashkëpunimin me policinë.

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha Dumani.

Dumani po ashtu tha se SPAK ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me vendet e Amerikës Latine, me qëllim forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.

“Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK për të koordinuar dhe asistuar më mirë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese. Prokuroria e Posaçme gjithashtu ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta edhe me shtetet e Amerikës Latine, që do të rrisin ndjeshëm forcimin e bashkëpunimit në kuadër të veprave penale të krimit të organizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë