Gazeta Si - Në pallatin ku fshihej i shumëkërkuari Nuredin Dumani, banorët kanë përjetuar ankth dhe frikë gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA gjatë operacionit për kapjen e tij në lagjen “Apollonia” në Fier.
Një ditë pasi 37-vjeçari u vu në pranga dhe tashmë ndodhet në Spitalin e Traumës, fqinjët janë shprehur se janë tmerruar nga zhurmat që kanë dëgjuar, por që nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte.
Për Dumanin, ata kanë shtuar se ai kishte vetëm një javë që e kishte marrë atë shtëpi me qira dhe se ata janë ndjerë të frikësuar gjatë gjithë kohës.
“Banesën me qira e ka marrë para një jave. U tmerruam nga zhurmat. Ishim në gjumë kur dëgjuam zhurmën dhe u trembëm. Komplet pallati ishte në terror, nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte. Kishim frikë, nuk dinim kujt t’i drejtoheshim”- janë shprehur fqinjët.
Një prej banoreve të këtij pallati, rrëfen çfarë ka parë mbrëmjen e djeshme gjatë aksionit të policisë ku iu vunë prangat të shumëkërkuarit.
“Mbrëmë pamë një tmerr, po u binin dyerve me sende të forta. Unë banoj në kat të tretë. Ata ndodheshin në kat të katërt. Isha dhe vetëm, u tmerruam mbrëmë. Ata sipër rrinë me qira, para këtij që ka ardhur tani ishte një italian. Ka ikur para një jave. U trokita para nja 3 ditëve u thashë mos më bëni zhurmë. Na fal na fal. Pastaj më tha nuk jam unë që bëj zhurmë është ai lart. Epo na fal që të bezdisa i thash”, tha ajo.
Pas ndalimit të Nuredin Dumanit, policia ka shoqëruar dhe partneren e tij. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se vajza është shqiptare nga Kosova dhe njihej me të shumëkërkuarin prej disa kohësh.
Çifti bashkëjetonin në apartamentin ku u gjet Dumani, i plagosur dhe me një fasho në kurriz. Nuredin Dumani pritet t’i nënshtrohet këtë të martë një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë për të hequr plumbin që ka marrë në trup.
Ai ka qenë në duke udhëtuar në automjetin tip "BMW" ndaj të cilit u qëllua me breshëri rreth orës 17:35, (29 mars 2022) në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër.
Policia informon se deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.