Autoritetet në Dubai kanë liruar nga burgu Plaurent Dervishajn, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, ky i fundit një prej ish-drejtuesve të Bandës së Durrësit, njofton BW.
Ai cilësohet një nga personat kryesorë që organizoi vrasjen e Klodian Saliut dhe e ekzekutoi atë së bashku me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçin dhe me Indrit Taullain.
Sipas SPAK, shkak është bërë vonesa e dërgimit të kërkesës nga Ministria e Drejtësisë shqiptare, edhe pse kjo e fundit deklaron se letërporosia është dërguar në kohë.
Kërkesa për ekstradim nga SPAK është firmosur në 21 dhjetor 2020. Plaurent Dervishaj u kap më 10 dhjetor 2020 në Dubai.
48-vjeçari kërkohet të ekstradohet në bazë të vendimit penal Nr.115, datë 02.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar Tiranë, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.