Nga Gazeta 'Si'- Mijëra njerëz kanë marshuar në Valencia mbrëmjen e së shtunës dhe kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit të rajonit për përgjigjen e vonuar ndaj përmbytjeve shkatërruese që lanë më shumë se 220 të vdekur.
Protestuesit mbushën qendrën e qytetit lindor spanjoll dhe brohoritën njëzëri "Vrasës!", teksa i bënin thirrje Carlos Mazon të shkonte dhe autoriteteve që ta arrestojnë.
Disa hodhën çizme me baltë jashtë një ndërtese të qeverisë rajonale, ndërsa në një pankartë shkruhej: "Duart tona janë njollosur me baltë, tuajat me gjak".
Pati gjithashtu disa përleshje me policinë dhe trazira përpara godinës së bashkisë së Valencias ku filloi marshimi, teksa policia përdori shkopinj gome për të detyruar disa protestues të zmbrapsen.
Përmbytjet e fund tetorit, të cilat e lëkundën Spanjën dhe e kanë bërë Valencian një pellg balte që kërkon përpjekje të madhe pastrimi, ishin një nga fatkeqësitë natyrore më të këqija në Evropë në dekadat e fundit.
Carlos Mazon akuzohet se ka lëshuar shumë vonë alarmin për motin e keq në Valencia, në orën 20:00 të 29 tetorit, shumë kohë pasi uji kishte përmbytur tashmë qytete dhe fshatra.
Udhëheqësi i Valencias tha se do ta kishte bërë këtë më herët nëse autoritetet do të ishin njoftuar për ashpërsinë e situatës nga një organ zyrtar meteorologjik. Por agjencia spanjolle e motit lëshoi një alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit, qysh në orën 7:30 të mëngjesit të asaj dite, ndërsa ndodhi fatkeqësia.
Mazon po kritikohet gjithashtu për reagimin e ngadaltë dhe kaotik ndaj katastrofës natyrore. Mijëra vullnetarë ishin të parët në terren në shumë prej zonave të goditura më keq në periferi të Valencias, ndërsa u deshën ditë që mijëra përforcime policore dhe ushtarake të dërgoheshin nga qeveria spanjolle.
"Ne duam të tregojmë indinjatën dhe zemërimin tonë për menaxhimin e dobët të kësaj fatkeqësie që ka prekur kaq shumë njerëz", tha Anna Oliver, presidente e Accio Cultural del Pais Valenciano, një nga grupet që organizuan protestën.
Gati 80 persona janë ende të zhdukur pas gati dy javësh nga përmbytjet katastrofike, të cilat ishin më vdekjeprurëset në një vend të vetëm në Evropë në më shumë se 50 vite.
Mijëra shtëpi të njerëzve u shkatërruan dhe rrugët janë ende të mbuluara me baltë dhe mbeturina 11 ditë pasi reshjet e dendura shkaktuan përmbytjet. 220 njerëz janë konfirmuar deri më tani të vdekur nga përmbytjet, ku 212 prej tyre janë vetëm në rajonin lindor të Valencias, ndërsa kërkimet për më shumë trupa të zhdukur o vazhdojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.