Krahas suksesit ndërkombëtar në muzikë, këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka treguar se zëri i saj është me peshë edhe në çështjet që lidhen me gratë.
Mbrëmjen e së enjtes ajo u nderua me një çmim për rolin e shquar udhëheqës me rastin e 60-vjetorit të organizatës së njohur amerikane, Këshillit të Atlantikut.
Ajo u vlerësua për aktivizmin e saj në fuqizimin e grave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut në veçanti të viktimave të luftërave të Ballkanit, kontributin e saj për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, humanizmin, frymëzimin dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë si dhe shpresën që dha gjatë pandemisë duke zhvilluar aktivitete në sferën online edhe atëherë kur bota ndodhej në izolim.
Artistja Dua Lipa këtë çmim ia ka dedikuar të rinjve të Kosovës.
Tetë herë e nominuar dhe tri herë fituese e çmimeve Grammy, Dua Lipa foli për Kosovën edhe në fjalimin që mbajti pasi pranoi çmimin nga Këshilli i Atlantikut.
Ajo ka kërkuar edhe lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.
“Sot Kosova vazhdon të përballet me shumë sfida dhe zakonisht janë gjeneratat e reja ato që mbajnë barrën e tyre. Të rinjtë hasin në vështirësi për punësim dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që vështirësojnë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi ne përmbushëm të gjitha kriteret, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, para më shumë se tri vitesh. Prandaj, a mendoni se mund ta përfundojmë këtë gjë tani?”, është shprehur Dua Lipa.
E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e quajti Dua Lipën, ambasadoren më të mirë të vendit të saj.
Ajo i ftoi mysafirët në ceremoni të vizitojnë Kosovën.
“Ju që nuk e keni vizituar asnjëherë Kosovën, ju bëj thirrje që ta vizitoni që të shihni bukurinë e saj, veçantinë, ngrohtësinë dhe admirimin e popullit tim për vendet tuaja. Për vendet që qëndruan krah nesh në ditët tona më të errëta, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E keni dëgjuar edhe më parë. Por Kosova vërtetë është vendi më pro amerikan dhe vendi më pro europian në botë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja e Kosovës.
Përveç artistes Dua Lipa, Këshilli i Atlantikut nderoi me çmime për rol të shquar udhëheqës edhe Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla si dhe doktorët Ugur Sahin Dhe Ozlem Tureqi nga kompania bioteknologjike, BionTech.
Dua Lipa së bashku me babain e saj, Dukagjin Lipën, drejtojnë fondacionin Sunny Hill dhe festivalin me të njëjtin emër që mbahet në Prishtinë, falë të cilit Kosova është futur në hartën botërore të kulturës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



