Bota

Dronë misteriozë mbi bazat ushtarake? Trump kërkon rrëzimin e tyre! FBI nis hetimet

Nga Gazeta 'Si'- Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për një seri pamjesh misterioze të dronëve që janë raportuar që nga fundi i nëntorit në disa qarqe të Nju Xhersit, por edhe në zona të mëdha të qytetit të Nju Jorkut, gjithashtu dhe në disa qarqe në Pensilvani.

FBI ka nisur një hetim për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Disa nga këta dronë janë parë pranë një baze ushtarake dhe pranë fushës së golfit të Donald Trump në Bedminster.

Edhe pse nuk paraqesin një kërcënim sigurie, agjencitë federale synojnë ta shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush qëndron pas dronëve.

Komenti i Donald Trump për çështjen misterioze nuk vonoi.

“Dronët misterioz po shihen në të gjithë vendin. Nuk mendoj se kjo mund të arrihet pa dijeninë e qeverisë. Sqaroni publikun tani. Ose në të kundërt rrëzojini”, deklaroi presidenti i zgjedhur në rrjetin e tij social.

Frika për pamjet po rritet dhe po nervozon edhe Kongresin Amerikan, i cili kërkon përgjigje nga autoritetet.

"Ne duhet të bëjmë disa analiza shumë urgjente të informacioneve të inteligjencës dhe t'i heqim ato nga qielli, veçanërisht nëse fluturojnë mbi aeroporte ose baza ushtarake", tha senatori Richard Blumenthal ndërsa shqetësimet për dronët u përhapën në të gjithë Kongresin.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se nuk kishte njoftime se objektet ishin parë në ndonjë hapësirë ajrore ku ndalohet fluturimi. Ai tha se Roja Bregdetare nuk kishte zbuluar ndonjë përfshirje të ndonjë vendi të huaj nëpërmjet anijeve.

"Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që njoftimet për dronë të paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare ose publike, ose kanë një lidhje me ndonjë vend të huaj", tha Kirby.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë