Gazeta Si - Një dron në fluturim është konstatuar brenda Burgut të Peqinit mbrëmjen e të enjtes rreth orës 20:37. Kanë qenë policët e rrethimit të jashtëm ata që kanë dëgjuar zhurmën e mjetit dhe kanë dhënë alarmim.
Pas evidendimit të mjetit fluturues, sektori i sigurisë së burgut ka njoftuar policinë për marrjen e masave, pasi dyshohej se droni kryente fluturim me qëllim futjen në hapësirën ku ndodhen godinat e burgut të Peqinit, në afërsi të kalçetos.
Nga kontrollet e imtësishme të bëra në ambientet rreth godinave dhe terrenet sportive, në fushën e kalçetos së burgut u gjetën dy aparatë celularë, dhjetëra doza me kokainë e kanabis sativa, si dhe 8 fisha për karikimin e telefonëve.
“Në datën 12 shtator 2024, rreth orës 20:37, shërbimet e sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin konstatuar një mjet fluturues, dron, që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, ku për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut”, deklarojnë “Burgjet”.
Pasi u identifikua mjeti fluturues, u njoftuan forcat e sigurisë të IEVP Peqin, të cilët, së bashku me Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve realizuan kontrolle të hollësishme në zonën e hapur dhe të mbyllur të institucionit të regjimit të burgut.
Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
Drejtoria e Përgjithshme thotë se pas këtij rasti ka rritur masat e sigurisë. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, thuhet në deklaratë.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur më tej sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale brenda tyre. Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor”, mbyllet reagimi i “Burgjeve”.
Disa ditë më parë në Burrel u kap një dron që ishte ngritur mbi ambientet e burgut. Për këtë arsye u ndalua një 36-vjeçar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.