Një mega-operacion i shtrirë në katër shtete, Belgjikë, Francë, Holandë dhe Itali, u finalizua me sukses me arrestimin e 64 personave, të dyshuar si anëtarë të mafies shqiptare.
Sipas Europolit mafia shqiptare merrej me kultivim dhe trafik kanabisi dhe lëndë të tjera narkotike, prostitucion dhe pastrim parash. Në operacion morën pjesë mbi 600 oficerë policie.
Gjithashtu sqarohet se 60 persona u arrestuan mes 3 dhe 5 prillit. Të gjithë personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer një sërë veprash penale, që lidhen me prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrimin e parave.
Operacioni ishte produktet i një hetimi kompleks të aktiviteteve të këtij grupi kriminal në Belgjikë, Francë, Hollandë, Itali dhe Britani të Madhe. Të dyshuarit besohet se kanë menaxhuar dhjetëra plantacione kanabisi, të shpërndara në të gjithë Belgjikën dhe në veri të Francës.
Disa nga të dyshuarit janë përfshirë gjithashtu në një rast të trafikimit të qenieve njerëzore në Francë.
“55 persona u arrestuan në Belgjikë, duke përfshirë drejtuesit e grupit. 7 janë ndaluar në Holandë dhe 2 të tjerë në Francë. Hetimi është udhëhequr nga Policia Federale Belge në bashkëpunim me Xhandarmërinë Kombëtare të Francës, Policinë, Drejtorinë Italiane Antimafia dhe Policinë Metropolitane britanike”, sqaron EUROPOL.
Deri më sot janë goditur 15 plantacione kanabisi dhe janë sekuestruar: 8255 bimë kanabisi; rreth 100.000 euro në para dhe ar; 4 automjete luksoze; 63 pajisje elektronike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




