Rend dhe Ligj

Drogë, armë e municion luftarak, arrestohen dy të rinj në Vlorë

Policia e Vlorës ka goditur një veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, duke arrestuar dy persona.

Gjatë operacionit të koduar “Çepraku”, policia dhe forcat “Shqiponja” kanë sekuestruar 48 kg kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, municion luftarak, dylbi pushke dhe dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë.

Policia thotë se janë vënë në pranga shtetasit E. F., 19 vjeç dhe I. G., 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

“Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e fshatit Kuç, Njësia Administrative Horrë-Vranisht, bashkia Himarë, në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po gjatë operacionit, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë