Rend dhe Ligj

Ndryshon harta e kultivimit të kanabisit, trafikantët i zhvendosën parcelat drejt Veriut

Kultivimi i kanabisit në Shqipëri duket e po pëson një ndryshim nga ana e trafikantëve nga viti në vit, ndërsa vihet re dhe një zhvendosje e parcelave me kanabis.

Gjenerali i repartit të tretë të Guardia di Finanzas, Giuseppe Arbore, tha gjatë konferencës së përbashkët italo-shqiptare në Tiranë, se tashmë trafikantët po ndryshojnë strategji.

Sipas tij ata mbjellin në parcela të vogla dhe të thella në zona që nuk mund të identifikohen më lehtësisht nga policia.

“Përballemi dhe me një evolucion të këtij fenomeni, ndaj duhet të ripështasim strategjitë tona. Gjendemi përballë parcelave të vogla të mbjella në zona që nuk arrihen lehtësisht, ndaj lind nevoja e përdorimit të dronëve për të luftuar këtë dukuri kriminale”, - u shpreh Giuseppe Arbore.

Sipas përfaqësuesve të Guardia di Finanzias në Shqipëri, ka ndryshuar edhe harta e kultivimit të kanabisit. Duket se nga jugu i vendit, ajo është zhvendosur në zonat qendrore dhe të Veriut.

Gjeneral Brigate, Giuseppe Arbore, në konferencën për kanabisin në Tiranë

“Vërejmë dhe një zhvendosje të zonave të mbjella me kanabis nga jugu i vendit në zonën më qendrore dhe veriore”, - tha ai.

Guardia di Finanza vë theksin dhe tek bllokimi i pasurive të ardhura nga ky aktivitet kriminal. “Është e domosdoshme pjesëmarrja e të gjithë aktorëve, në mënyrë që të goditen dhe nga pikëpamja financiare organizatat kriminale që të ç’rrënjohet kjo dukuri. Arritja e kësaj është thelbësore”.

Sa u takon statistikave të monitorimit nga ajri në luftën anti-kanabis, nga 1 maj deri më 31 tetor 2021, janë kryer 70 misione mbikëqyrjeje kundrejt 67 misioneve në vitin 2020. “Kemi identifikuar 1.119 plantacione dhe janë asgjësuar mbi 92.448 bimë narkotike”. Sipas përfaqësuesve italianë, në vitin 2021 është monitoruar dhe mbikëqyrur nga ajri 22.6% e gjithë territorit shqiptar.

"Kjo përqindje është shumë më e lartë nëse heqim zonat e urbanizuara. Pjesa më e madhe e territorit shqiptar që potencialisht mund të përdoret për kultivimin e kanabisit është skanuar", vijoi gjenerali Giuseppe Arbore.

Droga nga Shqipëria në Itali, Nano: Këtë vit kemi rënie 100% të trafikimit

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të saj ishte në qendër të diskutimit të Konferencës së Përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit të Italisë këtë të premte.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano tha se trafiku i drogës është prioritet për punën e Policisë dhe se bazuar ne statistikat e autoriteteve italiane per vitin 2021, “kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti”.

“Gjithsesi, puna e Policisë së Shtetit kundër kultivimit të bimëve narkotike do të konsiderohej pjesërisht e kryer, nëse nuk do t’i kushtohej vëmendje goditjes së trafikimit të saj dhe identifikimit e sekuestrimit e pasurive që rrjedhin nga ky aktivitet kriminal.

Gjatë periudhës referuese bazuar në statistikat e kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti”, tha Nano.

“Shembull i vendosmërisë për përmbushjen e detyrimeve në planin e veprimit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike është procedimi i 165 zyrtarëve vendorë, administratorë të njësive administrtive, kryetarë të fshatrave për shpërdorim detyre e moskallëzim krimi”, vijoi drejtori Nano.

Sipas tij, puna e policisë do të përqendrohet në goditjen e kësaj veprimtarie kriminale që në fazë të hershme, duke grumbulluar informacio edhe për personat që importojnë fara kanabisi dhe më pas i kultivojnë ato.

Nano paralajmëroi se forcat e policisë do të ushtrojnë kontrolle si në ambiente të hapura dhe të mbyllura, aty ku kohët e fundit janë rritur rastet e kultivimit të kanavisit nëpër laboratorë të improvizuar në banesa apo ambiente të tjera.

“Aktualisht kemi përqëndruar punën kryesisht në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura e trafikimit të këtyre bimëve.

Për vitin 2021 puna e policisë ka nisur që sot e do përqëndrohet në grumbullimin e informacioneve për individë apo grupe kriminale që importojnë fara të bimëve narkotike kanabis me qëllim nisjen e hetimeve proaktive dhe goditjen e këtij aktiviteti krimial që në fazën fillestare.

Mbi bazën e hartës dixhitale e analizës së riskut do ushtrohen kontrolle periodike si në ambiente të hapura e të mbyllura me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë