Nga Gazeta Si – Në muajin e Gruas, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, diskutoi në Klubin e Librit ‘Mësojmë nga e kaluara’, librin ditar e poezi, “Dritë që vjen nga humnera” të Drita Çomos, si dhe zbuloi për herë të parë për publikun pjesë nga dosja e survejimit që Ish-Sigurimi i Shtetit nisi ndaj gjimnazistes 16 vjeçare.
Drita Çomo u lind në Tiranë në 19 mars të vitit 1958. Në nëntor 1960, në moshën dyvjeçare, u internua, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishova dhe dënimit të të atit. Maqo Çomo dy ish-funksionarë të pushtetit komunist, të cilët si shumë të tjerë, i përndoqi lufta e brendshme partiake. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi u internua në Cërrik, ku dhe mbaroi shkollën e mesme, por për shkak të sëmundjes së rëndë dhe të keqdashjes, nuk arriti të kryente maturën.

Vdiq fill e vetme në moshë fare të re, më 19 shkurt 1981, në Spitalin Onkologjik të Tiranës, ku as në grahmat e fundit nuk iu lejua që të kishte pranë të ëmën. Ajo la të shkruar një ditar, i cili është dëshmi për ngjarjet e ndodhura në izolim si dhe dhjetra poema e poezi të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe shprese, të cilat u bënë pjesë e diskutimeve në Klubin e Librit, mbajtur në praninë e profesorëve dhe mësuesve të historisë, gjuhës dhe letërsisë, mikes së saj të rinisë, aktores së mirënjohur Rajmonda Bulku dhe vëllait të saj, Petrit Çomo.

Dr. Edlir Orhani nga AIDSSH bëri një paraqitje të gjetjeve arkivore nga dosja e përndjekjes së hartuar nga Ish-Sigurimi i Shtetit, si dhe disa momente nga dosja e krijuar mbi nënën e saj Liri Belishova.

“Dosja është hapur kur ajo kishte mbushur 16 vjeç dhe vazhdonte vitin e dytë të gjimnazit në qytetin e Cërrikut ku ajo banonte e internuar me të ëmën Liri Belishova dhe të vëllain, Petrit Çomo. Dosja nis me një shënim të operativit të sektorit të hekurudhës Fier-Ballsh, ku gjimnazi i saj mori pjesë në aksionin për ndërtimin e hekurudhës në periudhën qershor 1974. Survejimi i familjes dhe të dhënat me Teknikë Operative (përgjim të bisedave nëne e bijë në shtëpi) ishin të mjaftueshme, sipas sigurimit që Drita Çomo të vendosej në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë. Ndaj saj u hartua dhe miratua edhe plani i masave agjenturalo-operative”, ku në bashkëpunim përfshiheshin edhe nxënës të klasës së saj, të cilët raportonin për mendimet jashtë klisheve ideologjike dhe referatet që Drita krijonte sipas temave të orës së letërsisë, apo edhe të fizikës. Në datën 1.4.1977 merret vendimi për arkivimin e dosjes 2A për shkak të sëmundjes. Por përsëri tre vjet më vonë ndërsa lëngonte në shtratin e vdekjes në 30.11.1980 jepet vendimi për ta marrë në përpunim 2B me arsyen se shfaq tendencën “për agjitacion e propagandë armiqësore, për drejtimin antiparti duke marrë masa për kontrollin e saj.” Me vdekjen e saj dosja arkivohet në datën 18.3.1983.”
MSc. Elona Baçi në prezantimin e saj solli një qasje mes librit dhe dokumenteve arkivore duke theksuar se: “Duke evidentuar faktet, duke vendosur përballë kujtimeve të saj dhe dokumentat arkivore të kohës, ne thellohemi tek e vërteta dhe iu kundërvihemi faktet të rreme, që ndërtoi regjimi diktatorial mbi të ashtuquajturit armiq. Faktet që nuk plotësohen nga dokumentet arkivore, plotësohen nga dëshmia e Dritës në ditarin e botuar, ku mekanizmi i Sigurimit të Shtetit shfaq natyrën e tij të vërtetë, -siç thotë edhe Kadare – egërsinë e tejskajshme, egërsinë e errësirës, mungesë mëshire”.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha me këtë rast se: “Libri që la pas Drita Çomo dhe dosja e survejimit që hapet për herë të parë, për studiuesit, me lejen e familjarëve, vjen në përkujtim të 8 Marsit për të nderuar përpjekjet e vajzave dhe grave në komunizëm.
Petrit Çomo, vëllai i Drita Çomos solli disa dëshmi nga jeta në internim dhe vitet e kaluara me Dritën. “Mua më vjen mirë që ajo kujtohet edhe pse vdiq e re. Ajo la pas këto krijime që e kthyen historinë e saj në qendër të vëmendjes dhe uroj që edhe për të tjerë, si ajo që nuk patën fat të realizoheshin për shkak të pengesave ideologjike të ketë sa më shumë ngjarje të tilla kujtese.”
Raimonda Bulku, aktorja e njohur, shoqe e rinisë së Drita Çomos, risolli për të pranishmit kujtimet dhe mbresa nga shoqëria e saj.

“Drita sa jetë të shkurtër pati po aq edhe jehonë. Në atë kohë, akoma nuk kishin ardhur vitet 90, ajo ishte një zë i fuqishëm në atë kohë, ajo ishte fuqishëm në atë qytet, ishte fuqishëm në shoqëri , ajo ishte fuqishëm në kujtimet tona. Ishte shumë intelektuale, shumë e kulturuar, ne merrnim dhe jepnim libra. Burrneshë, fliste hapur. Ka bërë veprime shumë të guximshme. Kemi qenë njëherë në një aksion në Fier. Ishim 15 vjeç dhe kishim 2 djem të një ruseje, babin të futur në burg, inxhinier. Dhe ai kishte vajtur të takonte babin e tij në burgun e Ballshit që ishte afër se aty po bënim dhe ne. I bënë një mbledhje të tmerrshme atje atij djali, e persekutuan, ne që rrinim të gjithë. Si vajte ti te armiku në burg? Vetëm Drita guxoi, nga ne, që në atë kohë nuk mund të të mbronte një njeri që ishte persekutuar vetë sepse rrënohej fare. Dhe vetëm ajo guxoj. Dhe i tha atyre thjeshtë me atë mençurinë e vetë dhe thjeshtësinë: Çfarë ka bërë Aliosha sepse ka vajtur të takojë babanë në burg, babanë e tij.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.