Lajme

Driada Dervishi: “Revizori”, drama e një administrate që vjedh popullin

Teatri e bën publikun shpesh të kuptojë se me kohën, pak ose asfare ka ndryshuar nga thelbi i natyrës njerëzore. Korrupsioni i zyrtarëve të shekullit të 19-të në Rusinë Perandorake nuk është i ndryshëm nga ai i Shqipërisë së shekullit 21.
Këtë synon të rrëfejë regjisorja Driada Dervishi me komedinë “Revizori”, shfaqje që çeli edhe sezonin e ri artistik në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryebashkiaku i një qyteze ruse mbledh zyrtarët e tij dhe i rrëfen se ka marrë një letër nga një shok, që i thotë se revizori po udhëton provincë më provincë dhe po e bën fshehurazi. Gjykatësi, inspektori i shkollave, mjeku, kujdestari i bamirësive dhe drejtori i postër janë të gjithë të stresuar se ryshfetet, mënyrat e shkurtra dhe shkeljet e detyrës mund të dalin në pah, kështu që vendosin t’i fshein sa më shpejt të jetë e mundur…Është ky filli i tregimit që shkrimtari i njohur rus Nikolai V. Gogol e shkroi më 1836.

"Gogol sepse tema mbi babëzinë, mediokritetin, injorancën e qenies njerëzore që ai trajton, është universale! Gogol sepse tingëllon sot më aktual se kurrë!" -Driada Dervishi


“Revizori”, i e njohur edhe me titullin “Inspektori nga Qeveria” është një komedi në të cilin Gogoli satirizoi shoqërinë ruse në mjediset burokratike të carit Nikolla i Parë. Nëpërmjet një keqkuptimi, Gogoli arrin të portretizojë disa zyrtarë tipikë të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde. Ishte Pushkini ai që në një bisedë në vitin 1835, i tregon një histori të vërtetë, ku atë vetë, në një qytet të vogël e kishin ngatërruar me një zyrtar të lartë, histori të cilën ai më pas do ta kthente në një komedi me pesë akte, djallëzisht qesharake, të njohur si “Revizori”.

Kjo pjesë hap sezonin artistik të teatrit “Aleksandër Moisiu” me aktorët Gentian Zenelaj, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doci, Jaho Guma dhe Erjon Hodo.Muzika nga Haig Zacharian dhe Koreografia nga Elton Cefa.


“Në këtë komedi të djallëzuar ka për të gjithë ne dhe secili prej nesh ka diçka të vetën aty. Unë ndoshta më shumë se të tjerët!”, do të thoshte perandori Nikolla I, pasi ndoqi premierën në teatrin “Aleksandrinki” në Shën Pjetërburg, më 19 prill të vitit 1836.
Reagimet për komedinë satirike të Gogolit ishin të përziera.

Disa e mirëpritën, disa e quajtën si një situatë të pamundur dhe vulgare dhe disa reaguan ashpër ndaj saj. “Pati nga ata që i cilësuan personazhet "si mostra çnjerëzorë dhe absurdë”. Gogol tejet i shqetësuar nga këto reagime largohet nga vendi dhe i shkruan një mikut të tij. “Ata janë të gjithë kundër meje, abuzojnë me veprën time dhe prapë shkojnë ta shohin”, thoshte shkrimtari, duke u ndier si profeti që nuk nderohet kurrë në vendin e tij.

"A nuk është “Revizori” një dramë e fortë e një administrate që vjedh popullin dhe bën të pamundurën të shpëtojë karrigen?" - Driada Dervishi

Megjithatë asgjë nga këto nuk e ndaloi “Revizorin” që të kthehet një nga komeditë më të njohura ruse, e cila vihet e rivihet vazhdimisht, përshtatur për kinema, televizion, por edhe për opera e balet. Në Shqipëri, “Revizori” është vënë në skenë disa herë. Fillimisht më 1947 e më pas, më 1952-shin në përkujtim të 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh rus. Në teatrin e Durrësit, regjisorja Driada Dervishi e ngjit pas versionit të 1972-shit, me një qasje të re e të freskët, që i flet audiencave moderne.

Regjisorja Driada Dervishi


Kritika e sotme pothuaj universalisht bie dakord për gjenialitetin e komikes dhe dramatikes të përdorur tek Revizori dhe e etiketon një kryevepër komike madje në një komeditë më të mëdha të shkruara ndonjëherë në skenën ruse. “Kjo komedi është një komedi karakteresh dhe situatash dhe krijon "të qeshurën përmes lotëve", tipike gogoliane, ku përzihet ironia, humori dhe groteskja”, rrëfen për Gazetën “Si”, regjisorja Dervishi, ndërsa shton se subjekti është mjaft i lexueshëm “Flet mbi korrupsion dhe kalbësinë e një sistemi”, vijon ajo.

Ai vendoset enkas në një qytet të vogël, disi të humbur ku kryetari i tij është i zhytur në korrupsion po ashtu dhe ata që vijnë pas tij. Gogoli gjithsesi nuk i jep një zgjidhje kësaj situate, duke ia vënë fajin individëve dhe jo kushteve, pasi janë ata vetë që i ndërtojnë kushtet dhe enkas vendos në fillim të pjesës një fjalë të urtë, “Nuk ta ka fajin pasqyra në e paç surratin e shtrembër.”

“Kjo fjalë kthehet në fakt në vetë mesazhin e veprës: njerëzit shpesh kërkojnë dikë për ta fajësuar, ndërkohë që janë ata vetë problemi”, shpjegon më tej regjisorja, e cila prej disa javësh vijon me shfaqjet në teatrin e Durrësit, ndërsa publiku vendas e ka mirëpritur lojën teatrale të aktorëve Gentian Zenelaj, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doci, Jaho Guma dhe Erjon Hodo.

Gogoli është cilësuar si babai i realizmit rus dhe Revizori prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. “Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasur parasysh dhe natyralizmin e asaj kohe”, shprehet Driada, e cila numëron tri shfaqje të vëna në skenë të autorëve rusë.


Revizori hyn në vetë thelbin e Teatrit, i cili konsiston në të bërit shfaqje të gjalla të ngjarjeve të ndodhura apo të trilluara ndërmjet qenieve njerëzore duke i parë nga këndvështrim zbavitës. “Me anë të teatrit mund të dënosh me mijëra vese që gjykata mund t’i tolerojë dhe të lartësosh mijëra virtyte që kjo e fundit mund t’i kalojë pa shumë komente”, thotë regjisorja e bindur se veset dënohen më fort në komedi e satirat të cilat trajtojnë tema nga jeta e përditshme.

“Për sa mund të tingëllojë e tejkaluar, nuk duhet të harrojmë që misioni i artistit profesionist është përsosja e njeriut dhe shoqërisë ku edhe humori dhe satira shërbejnë për të treguar hapur fenomene dhe fenomenin, në këtë rast korrupsioni e për ta sjellë aq të vërtetë sa njerëzit të distancohen e vetvetiu të kërkojnë për ndryshim”.

Revizori vjen si një komedi që nuk njeh kohë, një satirë e administratave të korruptuara, të çdo kohe, një komedi keqkuptimesh që nxjerr në pah babëzinë njerëzore, hipokrizinë dhe mediokritetin dhe siç thotë dhe vetë, Gogol “Sa më gjatë e me vëmendje ta shohim një histori qesharake, aq më e trishtë bëhet ajo! Dhe, siç e cilëson regjisorja, një komedi “e djallëzuar” për skenën shqiptare.

"Ne mund të qeshim, po mund të qeshim shumë në një komedi, por në fund, do të shohim se të gjithë ne, po qeshim me veten tonë" -Nikolai Gogol


Administrata që na paraqitet në pjesë është tërësisht e kalbur: ata gënjejnë, shpërdorojnë fonde, kërkojnë ryshfete në mënyrë të paturpshme, nuk i kryejnë detyrat e tyre, e shtypin popullin e mbajnë peng atë dhe shqetësohen vetëm për veten e mirëqenien e tyre. Kjo thënie përkthehet konkretisht në fund të shfaqjes, në të cilën aktorët ndërrojnë vendin me spektatorët.

Aktorët e shohin publikun në sy, duke lënë të kuptohet që në fakt ata (aktorët) janë thjesht pasqyra ku reflektohen ata (publiku). Një nga batutat që mbyll shfaqjen i drejtohet publikut, enkas nga autori për ta bërë publikun të kthejë sytë nga vetja “Me kë po qeshni hë? Po qeshni me veten tuaj, me asnjë tjetër” !

Komeditë nuk janë gjini e re për ty në teatër, pasi ke sjellë plot të tilla të autorëve të shquar, por përse kësaj here zgjodhe Gogol?


Zgjodha Gogol sepse -përjashto këtu ndikimin e letërsisë ruse me të cilin u edukuan prindërit tanë e që u reflektua dhe tek brezi im-, Rusia ka nxjerrë disa nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë! Gogol, sepse është njëri prej tyre! Gogol, sepse komedia “Revizori” mbahet nga kritika si një nga kryeveprat e komedisë e shkruar ndonjëherë në rusisht! Gogol, sepse një nga reformatorët e mëdhenj të teatrit, regjisori Mejerchol'd, ka punuar me këtë tekst për tetë vjet rresht e përcolli një mënyrë të re të konceptimit teatral! Gogol sepse tema mbi babëzinë, mediokritetin, injorancën e qenies njerëzore që ai trajton, është universale! Gogol sepse tingëllon sot më aktual se kurrë!

“Sa më gjatë ta shohim një historike komike, aq më e trishtë bëhet ajo” -Nikolai Gogol

Publiku e ka cilësuar shfaqjen “Revizori” shumë aktual në Shqipërinë e këtyre ditëve. Por, sa flet kjo vepër e mes shekullit 19, shoqërisë shqiptare të shekullit 21?

Një regjisor niset gjithnjë nga një ide apo mendim, që do të përçojë në një kohë të caktuar në një vend të caktuar. Vepra që ai zgjedh lidhet në mënyrë të pashmangshme me realitetin në të cilin ai jeton dhe ky realitet ndikon në këtë përzgjedhje. Revizori duket sikur është shkruar sot, flet për të gjithë ne e më shumë për kohën në të cilën jetojmë. Veprat e autorëve të mëdhenj nuk njohin kohë e kjo i bën ata të pavdekshëm!

A ke pasur përvoja të mëhershme me dramaturgë e autorë rusë? Le të themi se letërsia ruse është e njohur nga publiku shqiptar, veçanërisht romantikët. Është punë e mundimshme t’i aktualizosh për publikun e sotëm?

Raporti im me dramaturgjinë ruse njeh tri përvoja të ndryshme: e para nis me dramën romantike “Vajza pa prikë”, të dramaturgut rus A.N Ostrovski në vitin 2006, kur përveç përmbledhjes së tekstit, ai mbeti pothuaj i plotë. Për të vijuar më pas me një nga përvojat më të bukura, me komedinë “Martesa:”, nga A. P. Çehov. Mora pesë pjesë me një akt të një prej dramaturgëve më të mëdhenj të teatrit, të cilat i ndërtova në një të vetme dhe u prit me mjaft sukses e vlerësime. Ishte pikërisht kjo eksperiencë që më nxiti ta rishikoj të gjithë tekstin e “Revizori”.

Ndoshta në fillim shumë më shumë seç duhej, duke bere një ndërthurje me një variant te David Kerr. Pas një rishikimi dhe një pune të vazhdueshme me tekstin edhe gjatë procesit në tavoline mbërritëm në tekstin e shfaqjes, për të cilin - duke lënë mënjanë modestinë-, kam marrë urimet më të shumta. Teatri bashkëkohor njeh përvoja të shumta të ndërtimit të tekstit gjate punës në tavolinë, e po aq njeh dhe teatri shqiptar. Këtu kujtojmë “Cuca e maleve”, mbi të cilën regjisori i madh Pirro Mani ndërtoi pothuaj një tekst te ri, apo “Prefekti”, të cilin vetë Mihal Popi pohon se shfaqje pas shfaqjeje u ndërtua një tekst pothuaj i ri apo ndryshimi thelbësor qe regjisori Hervin Çuli i bëri, më 2004-n, dramës së Vedat Kokonës, “Hijet e natës”.

Për mua, ndërhyrja në tekst mendoj është një proces krejt i natyrshëm. Regjia është interpretimi i tekstit që regjisori ndërton mbi tekstin e autorit, duke mos e “lexuar”, gjë që do të çonte në një vënie në skenë, por duke e interpretuar atë. Kjo metodë, krijoi në fakt mjaft vështirësi gjate procesit në tavolinë. Ndryshimi i tekstit, përshtatja e tij, ishte një sprovë për aktorët dhe sigurisht krijoi dhe tensione. Pati edhe reagime se pse po ndërhyja në nje tekst të përmasave të Gogolit, por në fund, pas duartrokitjeve të para mendoj çdo gjë harrohet. Jam shumë e lumtur për këtë eksperiencë dhe mendoj përsa kohë Gogoli vetë tingëlloi mjaft aktual në kohën në të cilën e shkroi, do donte të mbetej po aq aktual, gjë që unë kam bërë në këtë variant.

“Revizori” është vënë në skenë, në Shqipëri, më ’47 dhe ’52 në mos gaboj- për 100 vjetorin e vdekjes së Nikolai Gogol. Di që ti i jep gjithnjë teksteve prekjen tënde, a ke bërë përshtatje apo ripërkthim të tekstit në këtë rast?

“Revizori” është vënë edhe më 1972-shin, në teatrin Aleksandër Moisiu me titullin “Kryeinspektori” dhe kjo në vetvete ishte një shtysë. Sigurisht nuk mund të ishte i njëjtë me atë të para 47 viteve, e ndryshimet nisin si me tekstin, po aq dhe me përmbledhjen e personazheve -nga 26 në variantin e sipërpërmendur, në 11 sot.

Në çdo shfaqje, regjisori duhet të jetë zoti i krijimit të saj…E për këtë, ai ndërton sipas vegimit të tij regjisorial spektaklin. Nuk them që teksti të kaloje vetëm si pretekst, por ai ndërton një tekst të tijin. Është e pamundur të sjellësh një tekst të para dy shekujve e të mos ndërhysh në të.

Mendoj se regjisori bën interpretimin e tekstit, në bazë të kohës në të cilën ai vë. Këtë jam përpjekur të bëj me “Revizori”, të sjell një variant të tijin në këtë kohë. Fakti që të gjitha netët në Durrës janë ndjekur me një sallë plot, them është një tregues që ka folur si duhet me publikun. Jam e lumtur mbi të gjitha që brezi i ri, i cili është larguar mjaft prej leximit, u njoh përmes teatrit me një autor të madh, si N.V.Gogol.

"Regjia është interpretimi i tekstit që regjisori ndërton mbi tekstin e autorit, duke mos e “lexuar”, gjë që do të çonte në një vënie në skenë, por duke e interpretuar atë"- Driada Dervishi

Driada Dervishi

Megjithëse regjisore e teatrit të Durrësit, je njësoj e njohur në kryeqytet, por edhe në teatro të tjerë ku i ke çuar shfaqjet e tua dhe që janë pritur gjithnjë me interes nga publiku. Si ka qenë ky vit për ty? E di që ka qenë i ngjeshur, ku ke vënë dhe rivënë disa nga shfaqjet e tua në disa teatro…

Po përpiqem shumë të mbaj shfaqjet në repertor, e për këtë jam shumë e kënaqur që “8 Femra” u rikthye në shkurt e me pas në mars, duke vijuar më pas me “Komedia që shkon për dreq”, që erdhi për të tretën herë tek publiku kryeqytetas e në fund, “ Shirli Valentina”, të cilën duke pasur parasysh kërkesat, besoj do ta kemi sërish në Durrës, Korçë e Tiranë.Këtë herë do përdor shprehjen e Gogolit, e cila mendoj përmbledh të gjitha pse-të e disa komedive të fundit, “Sa më gjatë ta shohim një historike komike, aq më e trishtë bëhet ajo”.

A nuk është “Shirli Valentina” historia e dhimbshme e një gruaje, që është kthyer në një shërbëtore të familjes, të shoqërisë duke harruar që është dhe ajo një njeri? A nuk është “Komedia që shkon për dreq”, historia e trishtë e të gjithë teatrantëve shqiptarë, që kanë 30 vite që përpiqen të ndërtojnë një status për të qenë e çdo gjë, duke filluar që nga ligji për teatrin që duket sikur shkon keq e me keq, ama ashtu si trupa e kësaj komedie, që do ta çojë një shfaqje deri në fund edhe ne përpiqemi e nuk reshtim se bëri teatër?

A nuk ishte “Vanja dhe Sonja…” dëshpërimi i jetës që ikën dhe në fund të saj shohim sa pak kemi jetuar? A nuk është “Revizori” një dramë e fortë e një administrate që vjedh popullin dhe bën të pamundurën të shpëtojë karrigen?Dhe sërish po citoj Gogolin të përshtatur - kot nuk thonë, unë jam 90 përqind libri i fundit që kam lexuar. Në këtë rast shfaqja e fundit që kam vënë -, Ne mund të qeshim, po mund të qeshim shumë në një komedi, por në fund, do të shohim se të gjithë ne, po qeshim me veten tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë