Menaxhim

Drejtori i AMF-së, Ervin Mete: Tregjet Financiare po i përballojnë presionet aktuale

Ervin Mete

Drejtori i Përgjithshëm i AMF-së, Ervin Mete bëri raportimin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit para Komisionit të Financave, ku shpjegoi se tregjet financiare u rimëkëmbën shpejt gjatë 2021-shit.

“Qëndrueshmëria e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, përfshirë këtu edhe trajtimin e pagesave të tërmeteve, sugjeron se sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktuale,”- u shpreh Mete.

Ai theksoi se edhe për muajt e parë të 2022-shit, tregu i sigurimeve dhe ai i pensioneve private kanë vijuar rritjen, ndërsa asetet e tregut të fondeve të investimeve pësuan rënie me rreth 1% në tremujor, kryesisht si pasojë e luhatshmërisë në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.

Duke u ndalur te riformatimi i bazës ligjore e rregullatore, për të cilat Autoriteti mori vlerësime edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian, Mete nënvizoi se ligjet e reja kanë dhënë impakt në tregje. Ligji për sigurimin e detyrueshëm dhe rregulloret e miratuara nga sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si edhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë.

 Mete përmendi edhe ofrimin e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik nga e-Albania si zhvillim pozitiv dhe të dobishëm, për 680 mijë qytetarë që marrin një policë sigurimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë