Institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re do të drejtohen dhe përbëhen në një masë të mirë të tyre nga njerëz që kanë mbajtur pozicione drejtuese në drejtësinë e vjetër.
Raporti i Institutit të Studimeve Politike ka nxjerrë në pah se elementë të kufizimeve për kandidim, por sidomos kriteri i përvojës disavjeçare në punë janë pengesa për përmbushjen e numrit të subjekteve të interesuara për të qenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.
“Rreth 60 për qind e kandidatëve janë ish-prokurorë të përgjithshëm, ish-kryetarë të gjykatës së lartë, ish-ministra drejtësie, ish-drejtues në nivele të larta të gjyqësorit apo prokurorisë, etj. Një pjesë e tyre e kanë mbyllur mandatin e parë (ish) me një bilanc kritik dhe negativ publik, ndaj kurajo e tyre për të pretenduar edhe postet e reja drejtuese në sistemin e ri të drejtësisë përbën një fenomen që meriton analizë”, thotë raporti.
Ky është njëri element që verën ISP. Elementi tjetër pengues është mosbesimi tek i gjithë procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë, që sipas Institutit ka stepur kandidaturat me integritet profesional. Këtë shqetësim e kanë ngritur disa herë edhe përfaqësitë diplomatike të SHBA dhe BE-së përgjatë dy viteve të fundit, përmes thirrjeve publike të vazhdueshme për kandidim.
“Nxitja e tyre dha efekte pozitive, por të pamjaftueshme për të gjetur kandidatët e mjaftueshëm për vendet vakante në dispozicion”, thuhet në raport.
Instituti i Studimeve Politike vëren gjithashtu se një grup prej 4-5 personash kandidojnë njëkohësisht si për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, madje edhe për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Problematikë tjetër që vëren raporti i ISP është një numër i konsiderueshëm personash, ish-zyrtarë dhe ish-drejtues institucionesh të emëruar partiakë që kandidojnë për një vend në sistemin e ri të drejtësisë.
Vërehet gjithashtu se edhe drejtues dhe anëtarë të caktuar të atyre institucioneve të reja që janë ngritur kanë shpesh konflikt interesi dhe mungon praktika solida e sjelljes institucionale, për të shmangur konfliktin e interesit.
“Gjatë një debati në një aktivitet në mjediset e Kuvendit (prill 2019) një prej drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë citoi së paku katër herë me vlerësim të lartë drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë. Rrethana të tilla ku një institucion i pavarur vlerën lart organin politik që de facto mbetet kërcënues i pavarësisë së tij, janë praktikë normale tek ne, ndërkohë që vetë institucioni, në raportimin vjetor në parlament ankohet se ekzekutivi nuk ka përmbushur në kohë e me cilësi disa nga detyrimet e tij. A lidhet arsyeja e falënderimeve ndaj titullarit politik me faktin se anëtarë të rëndësishëm në familjen e tij/saj janë njëherësh punonjës në varësi të Ministres?”, ngrihet pyetja në raport.
ISP kujton gjithashtu edhe premtimet e klasës politike për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë brenda muajit korrik të këtij viti. Këto premtime i cilëson si të pakuptimta dhe kaotike, ndërkohë që vetë vlerëson se në rastin më të mirë të treja këto institucione mund të ngrihen brenda dhjetorit të këtij viti. Sa i takon SPAK, raporti i ISP thekson se gjasat që kjo strukturë të ngrihet brenda këtij viti janë minimale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.