Editorial

Drejtësia e kufomave

Vetëm dy copëza lajmesh dje, që mund të përfillen si periferikë, mjaftuan për të shkuar bindshëm tek konkluzioni se drejtësia në këtë vend po mungon dhe është e korruptuar.

Lajmi i parë tregon për Sokol Sanxhaktarin nga Elbasani që u dënua me 15 vjet burg se vrau shokun e tij të ngushtë Florian Lamçe.

Edhe Adriano Hajdari, bashkëpunëtor i tij në krim, u dënua me 8 vite burg. Të dy përfituan edhe ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar, kështu që Sanxhaktari do të vuajë 10 vite nga dënimi, ndërsa Hajdari 5 vite e 4 muaj.

Lajmi i dytë është për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai është shpallur fajtor sepse nuk ka treguar për vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës.

Sipas prokurorisë, referuar kamerave të sigurisë në ambientet e resortit në pronësi të Altin Hajrit, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka gjetur kazmat dhe lopatat, duke kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin.

Por nuk është ai autori e megjithatë ai u dënua përjetësisht. Ndërkohë që pronarët e resortit ku u krye krimi edhe pse u bllokua për ca kohë nga OFL, u liruan prapë dhe pronarët e dyshuar si autorë të krimit janë të lirë.

Ashtu të shërbyer veç e veç, të shkëputur në kohën e tyre të publikimit, këto dy lajme shërbyen si buka e përditshme e lexuesve analfabet funksionalë në rrjetet sociale apo kurioziteti i radhës për ata që i njohin personazhet e lajmeve.

Por të dyja bashkë në një tablo te vetme bërtasin për një çështje mjaft të madhe, shumë serioze dhe ende të pazgjidhur që prek dhe që duhet t’i shqetësojë të gjithë: Për drejtësinë.

Siç e vutë re, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit dhe njeri mjaft problematik me rendin e ligjin edhe pse vrau një njeri nuk dënohet përjetësisht. Punëtori i resortit që ndihmoi krimin por nuk ishte autori, u dënua përjetë.

I pari del nga burgu shumë më shpejt nëse do të ketë edhe sjellje të mirë, atë që nuk pati sa ishte i lirë. Sepse kështu ka ndodhur me shumë eksponentë të krimit të njohur dhe provuar për serial vrasjesh.

Është një taborë i madh bashibozukësh që nga gjyqtarë e prokurorë deri tek adminstratorë të vegjël burgjesh siç tregoi dhe rasti i Fierit që punon për të liruar ‘vrasësit’, vjedhësit, shkelësit e ligjit të të gjitha llojeve. Sa më shumë para të jenë, aq më i vogël është dënimi në raport me krimin.

Punëtori nuk ka asnjë shans. Ai do të ndëshkohet në burg deri në fund të jetës.

Ndoshta po të ishte ai autori i krimit, siç ishte Sokoli, ai mund të dënohej më pak!

Drejtësia i ka institucionet e reja, ka tjetër format pavarësie, ka më shumë mbështetje financiare, dhe më përkujdesje nga ndërkombëtarët por ajo mbeti po njësoj: e zhdrejtë.

I sollëm këto dy lajme jo për të vendosur, ne, masën e dënimit për palët por për të treguar se kush vret në këtë vend, drejtësia i lehtëson, edhe i fal .

Të vetmit të dënuar janë viktimat. Kufomat e tyre përjetësisht duhet të zënë vend në arkëmort aty, ku prej kohësh duhet të ishte kjo drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë