Nga Gazeta Si – Një ngjarje e pazakontë, që zhvillohet në 44 orë e ka në qendër të rrëfimit prokurorin Martin Guri zbulon gradualisht një sistem drejtësie të kontaminuar nga krimi dhe korrupsioni…
Ish-drejtori i policisë, Ahmet Prençi në sprovën letrare të radhës, në romanin “Brenga e Prokurorit” sjell një tablo të tranzicionit shqiptar mes krimit, mafias dhe brengave të së shkuarës.
Me një karrierë të gjatë në botën e policisë e drejtësisë përmes pasionit për letërsinë, Prençi, ia kushton romanin një personazhi të drejtësisë.
“Personazhi kryesor është një prokuror i ditëve tona që përballet me fenomenet e mprehta që shqetësojnë shoqërinë”, thotë shkrimtari Ahmet Prençi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “titulli ‘Brenga e Prokurorit’ mbart në brendinë e vet të gjithë rrjedhën e ngjarjeve, të gjithë luftën e përpjekjet që e mundojnë personazhin Martin Guri nga faqja e parë tek e fundit”.
Ndonëse në romanin e parë “Anja”, Prençi ka bërë përpjekje të rrijë larg profesionit të tij si funksionar shtetëror në zbatimin e ligjit, në romanin “Brenga e prokurorit”, nga fillimi në fund ka episode e ndodhi që kanë të bëjnë me punën që ka bërë.
“Karriera ime, prej 25 vitesh, ka qenë mes prokurorisë dhe policisë dhe për të shkruar këtë roman në njëfarë mënyre nuk ishte shumë e vështirë. Kushdo autor tjetër do i ishte dashur kohë për të studiuar e për t’u konsultuar për gjërat teknike që lidhen me kriminalitetin dhe hetimin. Kjo për mua ishte një lehtësi e madhe pasi është pikërisht profesioni im. Problemi kryesor lidhej me vendosjen e një raporti të duhur mes gjuhës teknike e procedurale me gjuhën e zakonshme që pret lexuesi i një romani”, vijon më tej Prenci për Gazetën “Si”.
Ashtu siç shfaqet personazhi i tij, Martin Guri në roman, autori Ahmet Prençi thotë ndër të tjera se ka ende njerëz të ligjit e rendit me integritet dhe që punën e tyre e shikojnë si mision.
“Në roman gjithçka është fantazi dhe imagjinatë. Jam i sigurt që lexuesi do gjej episode që lidhen me realitetin tonë dëshpërues për sa i përket krimininalitetit dhe pavarësisht emrave të personazheve dhe vendeve, lexuesit do të përjetojnë sikur ato momente i kanë parë dhe i kanë dëgjuar në territorin ku jetojnë. Puna ime kryesore për 25 vite përveç posteve drejtuese ka qenë hetimi i veprave penale. Ndaj prokurori si personazh ishte i duhuri për të kompozuar të gjithë librin. Mendoj që mesazhet që jep romani janë në kohën e duhur. Personazhi im, prokurori Martin Guri nuk është utopik, përkundrazi unë njoh prokuror po kaq me integritet sa personazhi im. Mbase janë pak, duhet të jenë më shumë, këtë synoj me këtë libër. Prokurori, gjykatësi dhe oficeri i policisë nuk duhet ta konsiderojnë detyrën e tyre si një punë që paguhen. Së pari atë detyrë ata e kanë mision dhe duhet të sakrifikojnë gjithçka për ta përmbushur më së miri”.
Me “Brenga e Prokurorit”, Ahmet Prençi nxjerr në pah figurën e një prokurori ku para se të jetë i tillë është një njeri si gjithë të tjerët me pengjet, mëdyshjet, brengat e dilemat e veta dhe jetën e tij të vështirë.
“Këta punonjës të shtetit e të drejtësisë jemi mësuar t’i shohim të ftohtë e të kornizuar në detyrën e tyre. Unë kam synuar t’ju hyj nën lëkurë për të nxjerrë dhe anën e tyre njerëzore me gjithë hallet e brengat që kanë. Para se të kenë ato detyra, ata janë njerëz si gjithë të tjerët”, vijon më tej autori.
Në një mjedis ku presionet janë të mëdha, nëpërmjet personazhit të tij, Prençi jep mesazhin se duhet kurajo e vendosshmëri për të ekzekutuar drejt e fort ligjin dhe për t’ju bërë ballë presioneve, joshjeve, korrupsionit.
“Mendoj që ky nuk është një roman vetëm policesk, por edhe psikologjik pasi brenda personazhit prokuror përplasen fort e shkuara me të tashmen dhe të ardhmen, si dhe përpjekjet e mëdha për të vendosur një balancë mjaft delikate dhe të vështirë mes ligjit dhe moralit”, shprehet autori.
Si një autor që tanimë është ngjitur në skenën e prozës moderne shqiptare që me romanin e parë “Anja”, shpreson që edhe “Brenga e prokurorit” të lexohet gjerësisht e të pëlqehet.
“Kur libri nuk më i imi, por i lexuesit, fillojnë mesazhet nga lexues të ndryshëm që e pëlqejnë librin. Aty fillon e përjeton kënaqësinë më të madhe. Tani jam në këtë fazë dhe po e shijoj duke parë se produkti që kam prodhuar ia ka vlejtur”, përfundon autori për Gazetën “Si”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.