Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në IKTK, ka njoftuar se është drejt përfundimit, restaurimi i tre ikonave, “Shën Athanasi” realizuar në vitin 1855, “Shën Harallambi” realizuar në 1855 dhe “Shën Kolli” e realizuar në 1859.
Tre ikonat janë pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar me autor Diço Zografin. Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po vijojnë punën për përfundimin e ndërhyrjeve në këto ikona.
Aktualisht ka përfunduar pjesa më e madhe e proceseve konservuese-restauruese përfshirë dezinfektimin, konsolidimin, pastrimin, dhe po vijohet me procesin e stukimit të lakunave dhe integrimin piktorik.
Pavijoni i ikonave pasbizantine është ngritur në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në mjediset e këtij pavijoni janë ekspozuar rreth 70 ikona pasbizantine, një proskinitar, dyer të bukura dhe një ikonostas. Objektet përfshijnë një hark kohor që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin. Në pavijon ka ikona të ikonografëve: Onufri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Joan Athanasi vëllezërit Zografi, vëllezërit Çetiri, anonimë dhe Mihal Anagnosti. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.