Katar 2022

Dramatike/ Sulmuesi i Ganës humbi penallti, vajza e tij ra pa ndjenja para televizorit

Gazeta Si – Botërori i ka të dyja, gëzimin dhe dhimbjen. Një komfirmim i fundit ishte fitorja e Uruguajit me Ganën, që në fund nuk bëri punë për kualifikimin, sepse Koreja e Jugut mundi Portugalinë.

Po atë mbrëmje ndodhi edhe një tjetër histori e dhimbshme për t’u treguar, me protagonist kapitenin e ekipit afrikan, André Ajeu. Sulmuesi humbi një penallti dhe në pushim u zëvendësua. Një zëvendësim jo për arsye teknike, por për një problem familjar, që u zbulua më pas.

Andre Ajeu ne momentin e humbjes se penalltise. Gazeta Si, 4 dhjetor 2022

Vajza e kapitenit të Ganës ra pa ndjenja para televizorit, kur André Ajeu humbi penalltinë. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku shkoi menjëherë edhe futbollisti. Emocionet e tepërta, këtë herë edhe zhgënjimi, sollën një shaka të pakëndshme në familjen Ajeu.

Një gazetar i njohur në Ganë ka publikuar në rrjetet sociale një foto, ku duket Ajeu në momentin e mbërritjes në spital, teksa përqafon vajzën. “André Ajeu shkoi direkt nga stadium në spital për të parë vajzën, që humbi ndjenjat kur ai humbi penalltinë ndaj Uruguajit. Ishte e frikshme, por për fat tani është mirë”, – shkruan gazetari.

Por jo vetëm kaq, pasi situata familjare ka qenë mjaft komplekse. E ka treguar në Instagram vetë lojtari, që zbulon se kishte humbur djalin e vogël një ditë para ndeshjes me Portugalinë: “Kanë qenë momente shumë të vështira për mua ditët e fundit. Humba djalin e vogël para ndeshjes me Portugalinë, kurse vajza u dërgua me urgjencë në spital.

Falë Zotit, po përmirësohet. Këto momente të vështira më frymëzojnë që të kthehem edhe më i fortë në të ardhmen dhe kështu besoj se do jetë”, – shkruan Ajeu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë