Nga Ina Ahmetaj-Në zonën e “Don Boskos” atë e njihnin të gjithë. Në dimër a në verë vishej njësoj, me shapka dhe çorape dhe ecte rrugëve me çantë në dorë. Merrte ilacce në farmaci, blinte bukë apo bënte dhe ndonjë shëtitje të shkurtër.
Por pak kush e dinte historinë e Fjorentina Stafës, 58-vjeç që u gjet e vdekur të shtunën mbrëma nga policia, pas njoftimit se u vetëhodh nga ballkoni.
“Dikur ata jetonin të gjithë bashkë, Fjorentina me motrat dhe prindërit në Elbasan.
Me vdekjen e nënës, motra e martuar shiti shtëpinë e cila ishte në pronësi të saj dhe Fjorentinës së sëmurë. Dhe bashkë me të shoqin blenë shtëpi të re në zonën e “Don Bosko” në Tiranë.
Fjorentina jetonte me ta por shtëpia e re u vendos në hipotekë në emër të bashkëshortit”, thonë fqinjët e Fjorentinës të cilët ende nuk e kanë marrë veten nga ngjarja.
Një tjetër fqinj tregon se konfliktet për shtëpinë ishin shtuar këto kohët e fundit, sa një muaj më parë, kunati e kishte rrahur Fjorentinën dhe ja kishte thyer dorën. Fqinjët tregojnë gjithashtu se shkak ishte refuzimi i saj për të shkuar në Azil, pasi familja e motrës kishte vendosur të shiste shtëpinë e të emigronin.
“Nuk donte të largohej nga shtëpia. Ajo kishte pjesë pronësie në atë shtëpi edhe pse kunati i saj e kishte vendosur mbi vete duke shfrytëzuar gjendjen e saj shëndetësore”, thotë një tjetër fqinj.
Mbrëmë trupi i pajetë i gruas ndenji gjatë poshtë dritares së një prej dhomave të Ambulancës shëndetësore nr.4 në Tiranë.

Mjekja që e pa trupin e para thotë se ende nuk i është hequr nga mendja vështrimi i ngrirë i Fjorentinës.
Kurse farmacistja e lagjes në “Don Bosko” që e furnizonte me medikamente thotë se me gruan kishte patur më shumë komunikim se të tjerët.
“Ajo ishte një grua e dashur, e pafjalë, më ka treguar historinë e saj të dhimbshme, sesi në rini kishte dashur një djalë që familja nuk ia kishte pranuar e prej asaj kohe pësoi një traumë që nuk e kaloi kurrë. Por ama nuk ishte agresive dhe nuk ishte problematike”, thotë ajo.
Ndoshta diagnoza e sëmundjes së Fjorentinës do e lehtësojë hetimin dhe shkak mbetet vetëvrasja. Por drama sociale e saj, sa vjen e po i ngjason të tjera historive të viktimave, gra e burra që konsiderohen barrë për familjarët e tyre.
Fjorentina Stafa nuk jeton më, e me gjasë shtëpia e saj do të shitet e familjarët do të vijojnë jetën normalisht. Por pak kush e kuptoi dhimbjen e gruas që pati fatin e keq të rritej në një realitet pa pa dashuri dhe pa asnjë solidaritet e përkrahje sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



