Është një dramë brenda dramë, ajo e ceremonive të mortit në kohët e koronavirusit në Itali. Pacientët që nuk ia dalin vdesin vetëm në një shtrat spitali dhe më pas, të vetëm varrosen. Shpesh familjet e tyre janë në izolim shtëpiak, pasi kanë qenë në kontakt me të ndjerin. Këtij të fundit i kushtohet një bekim i shkurtër në varreza dhe jo në kishë, ashtu siç e do tradita katolike italiane, për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Vetëm në zonën e Brescias deri tani ka pasur të paktën 1327 të vdekur dhe të paktën 7800 të infektuar.
Këto ditë tragjedie që kanë pllakosur zonën e Brescias, ka shumë vepra mëshire dhe bamirësie të cilat tentojnë t’i rikthejnë sadopak dinjitet situatës. Ata që merren me udhëtimin e mbramë të atyre që vdesin nga Covid-19, po u dedikojnë një përkujdesje më të madhe dhe më të ndjerë familjeve të viktimave. Kështu veprojnë shërbimet funerale, të cilat duke devijuar itinerarin nga morgu në varreza, ua çojnë makinën me arkëmortin familjarëve poshtë shtëpisë, me qëllim që familjarët t’u japin lamtumirën e fundit të afërmve të tyre. Por e bëjnë edhe ata që merren me punimin e varreve. Si ky varrpunues që Gazeta “Si” po jua sjell, i cili ka bërë njoftimin në profilin e tij në Facebook. Prej disa ditësh ai fotografon vendet ku varrosen të vdekurit nga Covid-19, pasi familjet nuk do të ishin në gjendje as t’i gjenin familjarët e tyre aty ku tashmë prehen.
Kryebashkiakët dhe kryetarët e komunave, si kurrë më parë udhërrëfyes të zonave që administrojnë, janë në vijë të parë edhe në këtë aspekt. Shpesh janë pikërisht ata që shoqërojnë automjetin mortor dhe ceremoninë e varrimit. Disa syresh madje shpalosin edhe shiritin me stemën bashkiake, si Pierluigi Bianchini, qytetari i parë i Castenedolo. “Kjo pandemi po u mohon familjeve përqafimin e komunitetit. Edhe pse është një gjest i vogël, duam që të gjithë ta ndjejnë afrimitetin”, shprehet ai.
Ose priftërinj të përkushtuar edhe më fort tani për t’u dhënë ngushëllim besimtarëve, si Marco Mori i Kishës Shën Pali, protagonist i një fotoje simbol të kësaj drame. “Më ka ndodhur të bekoj edhe 18 trupa në një ditë të vetme. Dhe, megjithatë, alternativa jonë e vetme mbetet shpresa”, shprehet ai. /giornaledibrescia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



