Arsim

Drafti që ‘mban’ në Shqipëri mjekët e ardhshëm/ Studentët kundër: S’do ta pranojmë kurrë. Bojkot provimeve!

Kristi Trako, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë dhe anëtar i Senatit Akademik shpjegon për Gazetasi.al pse studentët janë kundër draftit të qeverisë për të mos lejuar studentët e mjekësisë të largohen jashtë vendit pa bërë 3 vite specializim në vend ose në të kundërt, të paguajnë një tarifë të plotë të vitit akademik.

Trako thotë se që në ditën e parë që studentëve u është komunikuar drafti për moslargimin e mjekëve nga Shqipëria, ai ka komunikuar me Ministrinë e Arsimit duke i thënë se studentët janë kundër këtij vendimi por nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ana e Ministrisë së Arsimit pas komunikimit të tyre.

Vetë ministrja e Arsimit Evis Kushi ka thënë se qeveria dëshiron që “të kemi një dakordësi publike në lidhje me këtë çështje”. “Ne nuk duam të marrim vendime të njëanshme, ndërkohë që këto vendime ju prekin ju, prekin universitetin, edhe shumë më gjerë sesa kaq”, tha ajo.

Por përkundër kësaj, sot studentët e mjekësisë kanë protestuar para rektoratit të Universitetit të Mjekësisë për të kundërshtuar edhe një herë draftin e dy ministrive.

“U kam thënë që nga takimi i parë se në një mënyrë ose një tjetër do të merrni përgjigje nëse vazhdoni me këtë ide sepse është diçka që studentët nuk do e pranojnë”, thotë Trako, vendim që mbështetet edhe nga protestuesit të cilët thanë për median se nëse ministria e Arsimit nuk tërhiqet nga ky vendim, do shkojnë deri në bojkot të provimeve.

“Nuk bëjmë kompromis. As nuk pranojmë të paguajmë tarifë të plotë e as të firmosim një kontratë. Studentët janë gati të bojkotojnë edhe provimet për të mos u bërë pjesë e këtij drafti”, pohon Trako.

Sipas studentëve, tarifa që do t’u duhet të paguajnë në rast se nuk pranojnë të firmosin kontratën se do qëndrojnë të paktën 3 vite për të punuar në vend, do të jetë 5 mijë euro, një tarifë që është e papranueshme për ta.

“Nëse do kishte një tarifë të tillë, studentët as nuk do qëndronin të studionin në Shqipëri”, thotë Trako.

Paralajmërimi se do mbajnë mjekët në Shqipëri është bërë prej kohësh, si fillim nga Kryeministri Rama e më tej nga ministret Evis Kushi dhe Ogerta Manastirliu të cilat shpeshherë kanë thënë se nuk mund të lejojnë studentët e Mjekësisë të largohen menjëherë nga vendi për të dhënë kontributin e tyre në një vend tjetër.

Ndërkohë, studentët gjatë protestës thanë se nuk mund të qëndrojnë të punojnë në një vend ku nuk kanë as kushtet minimale për t’u rritur në profesion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë