Nga Gazeta Si – Studentët e Fakultetit të Mjekësisë dolën në protestë mesditën e sotme para rektoratit të Universitetit të Mjekësisë për të kundërshtuar draftin e Ministrisë së Arsimit për të mos lejuar studentët të largohen nga vendi.
Para nisjes së Fakultetit, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në vend, pas përfundimit të studimeve, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë.
Studentët thanë për median se ky plan u cënon të drejtat dhe i detyron të bëjnë zgjedhje që nuk duan.
“Ne jemi të vetëdijshëm për largimin e mjekëve por nuk pranojnë detyrimin si zgjidhje. Aktin e konsiderojmë të padrejtë. Detyrimi i mjekëve për të ndenjur në Shqipëri, është shkelje e demokracisë. Ne duam përmirësime konkrete. Përmirësoni kushtet dhe mjekët do të rrinë. Mjeku nuk duhet të detyrohet të qëndrojë në vend”, tha një nga studentet e mjekësisë që po proteston.
Sipas studentëve, tarifa që u duhet të paguajnë nëse nuk pranojnë të firmosin qëndrimin në vend është 5 mijë euro, një tarifë që kurrsesi nuk e pranojnë.
“Ne si studentë jemi të çoroditur me dy rrugë të tilla. Nuk duam të ndjehemi të kushtëzuar apo të detyrohemi të bëjmë diçka që nuk duam. Nuk është se nuk duam të qëndrojmë në Shqipëri por nuk ka kushte për t’u zhvilluar profesionalisht. Të përmirësojnë kushtet”, tha një student i cili shtoi se sido të jenë kushtet, përsëri nuk do pranojnë të paguajnë tarifën prej 5 mijë eurosh.
Studentët paralajmëruan se nëse Ministria e Arsimit nuk heq dorë nga ky draft, protestat do të përshkallëzohen, pa përjashtuar bojkotin e provimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



