Politike

Drafti, Ivi Kaso: KPK i kërkon shpërblim PS për spastrimin politik që i bënë drejtësisë

Anëtari i kryesisë së PD-së, Ivi Kaso, ka reaguar ndaj nismës së fundit të KPK-së dorëzuar në Kuvend për disa ndryshime që në thelb rregullojnë karrierën e tyre (dhe të ndihmësve) pas mbarimit të mandatit, draft i publikuar nga Gazeta ‘Si’

”Në një kërkesë drejtuar Edi Ramës, Lindita Nikollës, Ulsi Manjës, dhe ambasadave të ShBA dhe BE, anëtarët e KPK kërkojnë që, meqë po u afron fundi i mandatit, të sistemohen si gjyqtarë. Kërkojnë pra, që tu kthehet favori që i kanë bërë pushtetit duke skualifikuar të padashurit dhe kualifikuar kandidatët e preferuar të qeverisë.

Kjo është një shkelje flagrante dhe e turpshme e parimit të pavarësisë dhe të ndarjes së pushteteve në republikën e Shqipërisë.

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë farsë dhe u kërkon ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian që ta refuzojnë dhe të distancohen nga ky shtrembërim i parimeve të shtet bërjes dhe drejtësisë.

Edi Rama, Lindita Nikolla dhe Ulsi Manja do të bëjnë atë që kanë bërë prej një dekade me institucionet e drejtësisë, por përfaqësuesit e aleatëve të Shqipërisë nuk mund t’ia lejojnë vetes këtë turpërim publik.

Synimi i kërkesës është i qartë: na siguroni jetëgjatësinë në sistem dhe ne do t’ju shërbejmë siç edhe e kemi bërë.

Nuk duhet shumë mund për të kuptuar se, në favor të kujt do të jenë vendimet e këtyre gjyqtarëve nesër, nëse Edi Rama, Ulsi Manja dhe Lindita Nikolla do të jenë palë. Ata do t’i shërbejnë dorës që i daroviti, por jo drejtësisë, jo Republikës së Shqipërisë, jo interesit publik”, tha Kaso.

Konflikti i parë i interesit, sipas tij, është se anëtarët e KPK kërkojnë të mbushin pikërisht ato vende në sistem që vetë i kanë zbrazur.

“Kjo i bën të dyshimta vendimet e tyre.

Së dyti ata kërkojnë vende në sistem edhe për ndihmësit e tyre, duke e kthyer në oligarki sistemin e drejtësisë. Sipas kërkesës që i drejtojnë qeverisë, ata duan që këshilltarët në KPK, të futen në shkollën e Magjistraturës pa konkurs, pra të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë, ose të bëhen hetues të BKH apo zyrtarë në institucione të tjera të drejtësisë së re.

Me pak fjalë, ata kërkojnë shpërblimin për spastrimin politik që i kanë bërë sistemit të drejtësisë.

Kjo do të thotë që gjithë infrastruktura e drejtësisë së re të jetë në dorë të Partisë Socialiste”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë